Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për kryebashkiakun në detyrë të Himarës, Jorgo Goron. Ndërsa, për kreun e Kadastrës së Vlorës, Bilbil Aliaj, togat e zeza kanë vendosur t’i ndryshojnë masën e sigurisë, nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje". Burime për mediat bëjnë me dije se ky vendim është marrë pasi Aliaj është babai i një fëmije të mitur 5 muajsh. Ndërsa, për juristin Vezir Gjoka Gjykata ka vendosur të lërë në fuqi masën e arrestit në shtëpi.
Në dëshminë e dhënë, ish-kreu i Kadastrës së Vlorës mohoi të ketë kontakte apo njohje me ish-deputetin socialist, Artan Gaçin.
“Nuk kam patur asnjë kontakt apo njohje me investitorin Artan Gaçi, apo me persona të tjerë të lidhur me të. Nuk kam patur sugjerime, udhëzime apo ndërhyrje lidhur me këtë çështje përfshirë dhe Jorgo Goron. Më ka ardhur një praktikë si titullar, e përpiluar nga punonjësit përkatës, siç ndodhe zakonisht ku janë ekspertët dhe stafi përpilues, të cilën e kam firmosur si titullar”, tha ai më herët.
Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro, u arrestua mbrëmjen e së shtunës pasi kishte konsumuar një kafe me miqtë e tij në Dhërmi. Newsbomb.al më herët solli pamje të Goros brenda “kafazit të qelqtë”. Ai shihej me pranga në duar teksa pranë tij ishte dhe një efektiv policie.
[video width="848" height="476" mp4="https://cdnimpuls.com/newsbomb.al/wp-content/uploads/2024/03/434331327_7121227501279021_942366852872466066_n-1.mp4"][/video]
Goro është arrestuar pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një siperfaqe në total prej 10592 m2, ku përfitues fundor i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, ish deputet i PS.
Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, duke shmangur Këshillin e Qarkut, për sipërfaqen prej 5512 metra katrorë tokë dhe mbi bazën e dokumentit të tij toka u regjistrua në kadastër në kundërshtim me ligjin dhe më pas iu shit nga Stavri Mëhilli ish-deputetit Gaçi, me një vlerë relativisht të ulët krahasimisht me tregun. Stavri Mëhilli e kishte siguruar pronën përmes dokumenteve false e për këtë, ai është shpallur në kërkim.
Goro po ashtu akuzohet edhe për sipërfaqen prej 5080 metra katrorë që po ashtu në finale ka kaluar në duart e bashkëshortit të Olta Xhackës. Në lidhje me këtë sipërfaqe, ai e ka kaluar përgjegjësinë tek Drejtoria e Menaxhimit në tokës.
Sipas SPAK, Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, në atë kohë drejtori i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, pa kryer verifikime kanë përcjellë dokumente të falsifikuara pranë organeve kompetente dhe mbi bazën e tyre, ka bërë të mundur regjistrimin e sipërfaqes prej 5512 m2 tokë bujqësore pronësi shtet në favor të subjektit “Pribta”. Prokuroria thotë më tej se ka kryer veprime faktike në terren të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 5080 metra katrorë duke ja mbivendosur atë një pasurie toke shtet.
Arrestimi i kryebashkiakut në detyrë të Himarës erdhi pas kallëzimit të bërë nga kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili po ashtu ndodhet në qeli pasi është dënuar me dy vite burg pasi akuzohet për shit-blerje votash në zgjedhjet e 2023. Beleri kallëzoi penalisht Goron se ka trajtësuar një pronë në favor të të tretëve, pronë e cila pasi është blerë është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka.
Me kërkesë të SPAK lidhur me këtë çështje në arrest shtëpie u la Bilal Aliaj, të cilit iu ndryshua masa e sigurisë këtë të marë, Jerasimo Bashi dhe Vezir Gjikoka. Ndërsa, iu caktua masa “ arrest me burg”, Stavri Mëhillit, i cili ndodhet në kërkim.
Jorgo Goro – me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, masa e sigurisë ‘Arrest me Burg” si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim- I Arrestuar
Jerasimo Bashi – me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë, masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim – Në kërkim
Bilbil Aliaj – me detyrë Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), masa “Arrest në shtëpi” si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim – Vendimi u ekzekutua. MASA U NDRYSHUA SOT 26.MARS në "Detyrim paraqitje".
Vezir Gjikoka – me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), masa “Arrest në shtëpi” si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim – Vendimi u ekzekutua
Stavri Mëhilli – i është caktuar masa “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë – Në kërkim