Hapësire reklamuese

Aktualitet

Ligji i ‘Investimeve Strategjike’ propozohet të shtyhet për herë të tretë

Shkruar nga Newsbomb
Ligji i ‘Investimeve Strategjike’ propozohet të shtyhet

Ligji i debatueshëm për “Investimet Strategjike” i përfundoi efektet më 31 dhjetor 2023, por një propozim i depozituar në Kuvend pritet që ta shtyjë afatin e tij për të tretën herë radhazi.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, deklaroi në një konferencë shtypi me gazetarët të premten se qeveria ishte në dijeni të propozimit të një deputeti, që përfshinte edhe afatin e ligjit.

“Investimet strategjike në dijeninë time ka një propozim deputeti në parlament për të bërë disa ndryshime që lidhen me nivelin e atyre që konsiderohen investime strategjike, edhe me disa aspekte operacionale të ligjit, por edhe me shtyrjen e afatit,” tha Mete.

Nisma e përmendur nga Mete nuk është bërë publike në faqen zyrtare të Kuvendit, por ajo vjen në një kohë kur qeveria ka deklaruar se do të rishikojë legjislacionin për investimet gjatë vitit 2024, edhe si kërkesë të Bashkimit Europian.

I miratuar në vitin 2015, ligji “Për Investimet Strategjike” u prezantua si një masë e përkohshme nga qeveria “Rama”, fillimisht me afat deri në vitin 2018. Por afati i tij u shty edhe dy herë të tjera në Kuvend.

Ligji ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit si dhe për rrethin e përfituesve. Sipas opozitës dhe ekspertëve të ekonomisë, skema e investitorëve strategjikë ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.

Socialistët refuzuan disa herë kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zbatimin e këtij ligji, pas shqetësimeve se ai ishte përdorur për të favorizuar biznesmenë pranë qeverisë.

Njëri prej përfituesve është dhe Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste, Olta Xhaçka, i cili përfitoi statusin për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut, një nga zonat më të bukura në Jug të vendit.

BIRN shkruan se ligji i njeh statusin investitor strategjik në turizëm çdo projekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë. Sipas vendimeve të miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, shteti u ka ofruar investitorëve strategjikë qindra hektarë tokë përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese