Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

Ligjërimi publik dhe ku na çon “lufta civile” brenda opozitës?!

Shkruar nga Newsbomb
Ligjërimi publik dhe ku na çon “lufta civile” brenda

Nga Erl Murati për Revistën Newsbomb.al

Nëse i hedh një sy transkripteve të fjalimeve të përditshme të Berishës nga dritarja e shtëpisë, mes lumit të akuzave ndaj Ramës, ministrave dhe SPAK-ut, bie në sy përsëritja e emrave të disa personazheve të cilët nuk jetojnë më.

Havzi Nela, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka risillen në retorikën e përditshme të Doktorit, në një përpjekje identifikuese të Edi Ramës me etërit e tij biologjiko-ideologjikë, si vrasës të poetëve të mësipërm. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka janë ekzekutuar nga diktatura, kohë përpara se autori i këtyre radhëve të vinte në jetë. Havzi Nela u var 36 vite më parë.

Të tre këta “Martirë të Demokracisë” i bëjnë nder historisë së disidencës antikomuniste shqiptare. Por, këtu nuk po flasim për histori, por për politikë dite. Me gjithë respektin, pritshmëritë që një djalë apo vajzë e re kanë sot nga politika janë krejt të tjera. Një 25-30-vjeçar sot, është njohur me komunizmin vetëm përmes librave e gazetave, kurse një votues për herë të parë, ka lindur në vitin 2006! Komunizmi ka sunduar për gjysmë shekulli, në të gjitha vendet e Europës Lindore, po në asnjë nga këto vende, “antikomunizmi” nuk është kartë e përditshme politike.

Të tjera gjëra janë: ekonomia, mjedisi, siguria publike, arsimi, shëndetësia, etj. Eshtë e drejtë të jetë kështu. Këto janë në fakt, çështjet që prekin jetën e përditshme të kujtdo, një pensionisti, një profesionisti, apo një studenti. Përsëritja e akuzave që zgjat që nga dhjetori i ’90 – për më tepër kur e ka patur shansin të bëjë dekomunistizimin e vërtetë - fsheh në rastin më të mirë, mungesën e ideve, tezave apo vizionit që opozita duhet të ketë sot, në epokën e pandemisë teknologjike dhe inteligjencës artificiale.

Po pse atëherë kjo retorikë e përditshme antikomunizëm e Berishës? A është ajo produktive nga pikëpamja e mbështetjes politiko-elektorale për opozitën? Në pamundësi për të përmirësuar ofertën politike me njerëz të rinj dhe alternativa të besueshme, Berisha i është dorëzuar armës së trashëgimisë ideologjike. Kjo armë garanton ruajtjen e bërthamës ekzistenciale identitare, por vështirë se shkon përtej saj.

Njësoj si ambicia e Berishës, e cila nuk shkon përtej çimentimi si “lider opozite”. Le të shohim tezat e opozitës tjetër, PD-së zyrtare. Ligjërimi publik i Lulzim Bashës dhe të tijve nis e mbaron tek “reforma zgjedhore”. E ashtuquajtura “reformë zgjedhore” që vazhdon e nuk mbaron që kur në Shqipëri ka hyrë pluralizmi, është thjesht ndryshimi i një ligji që rregullon garën zgjedhore në vend. Eshtë një proces teknik, i cili me gjithë rëndësinë për garën, nuk ka asnjë interes publik.

Reforma zgjedhore është grumbulli i rregullave me të cilën partitë politike vendosin të luajnë lojën me njëra-tjetrën. Dhe, për analogji: më shumë se rregullat, njerëzve u intereson loja dhe rezultati. Njësoj si në futboll, tifozët shohin kush janë lojtarët dhe sa bukur luajnë ata. Por, askush nuk pyet për emrat e arbitrave apo sa është numri i kamerave në dhomën e VAR-it.

Procesi i hartimit dhe përmirësimit të ligjit zgjedhor nuk mund të jetë kryefjala e PD-së dhe aq më pak, mund të mbajë peng debatin publik në vend. Opozita nuk e ka këtë luks. Po pse Berisha-Basha nuk i përgjigjen interesit publik në ligjërimin e tyre politik?

Fjala vjen, si nuk dëgjuam njërin të flasë për çmimin e karburanteve i cili ka shkuar 1.9 euro për litër, ndër më të shtrenjtit në Europë?! Sigurisht, nëse Rama, Berisha e Basha i furnizojnë makinat gratis në të njëjtën pompë benzine... ahere nuk mund të flasin për këtë temë. Them “në të njëjtën pompë benzine” metaforikisht. Sepse pompa ka shumë dhe ka për të gjithë.

Udhëtojnë në të njëjtin ‘bussines class’, lahen në të njëjtin det të ndaluar për njerëzit e thjeshtë, jetojnë në të njëjtat ‘gated community’ të segreguar nga mure të lartë dhe fëmijët i çojnë në të njëjtat shkolla, për të bërë në fund krushqi me njëri-tjetrin. Si qëmoti. Për të ruajtur pasurinë dhe për t’u siguruar që pompat të rrjedhin ndër breza.

Po atëherë, çdo të ndodhë gjatë këtij viti? Të ndërgjegjshëm dhe të dorëzuar se nuk mund të rivalizojnë dot elektoralisht me Ramën, grupimet e Berishës dhe Bashës do ta ashpërsojnë betejën mes tyre. Sa më shumë të afrohen zgjedhjet 2025, aq më e egër do të bëhet lufta brenda llojit. Sepse askush nuk synon të rrëzojë Ramën.

Çdokush do kërkojë të ruajë bahçen e vet të vogël, të ketë “monopolin” e opozitës. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm duke luftuar ata që e rrezikojnë këtë monopol.

Jo vetëm që s’do ketë pajtim, por, të ndërgjegjshëm se Rama nuk mundet, të dy palët do të acarohen dhe mobilizohen dyfish, që të mundin atë që mund të mundet: njëri-tjetrin. Pra, do të kemi një “luftë civile” në opozitë, deri në zgjedhjet 2025. Më pas, kur Rama të fitojë mandatin e katërt – njësoj si Vuçiç në Serbi, me 20% diferencë nga opozita – gjithçka do të kthehet në qetësi. Dhe teatri do të përsëritet. Siç ndodh prej dekadash.

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese