Hapësire reklamuese

OpEd

LIDHE RRIPIN, O LUL!

Shkruar nga Newsbomb

Nga Edi Oga ekskluzivisht për Newsbomb.al

Në fundjavë, çuditërisht, lajmi “më i rëndësishëm” politik ishte një foto “intime” e kryetarit të opozitës, njëkohësisht kandidat për kryeministër!

Fotoja është pjesë e një seriali fotosh dhe videosh “familjare”, që kanë për qëllim të rikrijojnë imazhin (deri tani) amorf të një lideri politik, i cili pretendon të marrë timonin e qeverisjes së vendit për katër vitet e ardhshme!

Deri këtu nuk ka asgje të keqe!

Krahasuar me fotot dhe videot skandaloze të “piarit” të kryeministrit aktual, kjo foto duket e paqtë dhe mesazhi që ajo fsheh... mbetet vërtetë i fshehur!

Detaji që ka ngjallur debatet më të ashpra në rrjet, është mungesa e rripit të sigurimit, pra shoferi është i palidhur.

Mbështetësit e opozitës, rrjedhimisht edhe të shoferit në foto, mbrojnë tezën e njeriut mbi 190 cm, i cili në bazë të nenit 170 të kodit rrugor të Republikës së Shqipërisë, përjashtohet nga detyrimi për të lidhur rripin e sigurimit gjatë ngarjes së mjetit.

Nëse Lulzim Basha është mbi 190 cm, ai është ligjërisht në rregull, por jo moralisht.

Ashtu siç ai në daljet e tij në publik vendos përherë maskën, duke përcjellë një mesazh social të rëndësishëm për ruajtjen nga përhapja e pandemisë, nuk i kushtonte asgjë që në atë foto të vendoste rripin e sigurimit. Në këtë rast, fotoja do të kishte efekt shumë të mirë edhe si sensibilizim për vënien e rripit, por edhe si një plus në imazhin e një kryeministri të ardhshëm. Java që lamë pas, ishte e ngarkuar me aksidente. Edhe djem fare të rinj. Do të ishte me shumë vlerë që njerëz me ndikim kaq të madh në publik, të promovonin mesazhe jetëshpëtuese! 

Por zoti Basha nuk e ka vendosur rripin!

Mbase ka harruar. Ose nuk e vë kurrë, se nuk i vënë gjobë. Ose udhëton gjithmonë me shofer!

Mbase makina ka qenë e fikur dhe refleksi i rripit nuk i është “ndezuar” akoma. Në këtë rast, mbajtja e duarve në timon me motor të fikur, bën pak për të qeshur!

Mbase konsulentët e “piarit” i kanë të rekomanduar të mos e vendosë rripin, sepse shqiptarët nuk i votojnë burrat që “lidhen për 1000 lekë”!

Rripi i sigurimit në makinë, nuk është i vetmi rrip që duhet të lidhë Lulzim Basha.

Ai duhet të shtrëngojë edhe rripin e pantallonave. Sidomos atë.

Shqiptarët, me shumë gjasa, do të vendosin të shkarkojnë Edi Ramën nga “detyra” e tij dhe, medet, rrjedhimisht “timonin” e qeverisë do ta marrë Luli.

Të “ngasësh qeverinë”, sidomos në këto kohë kaq të vështira, me gjithë problemet dhe hallet e qytetarëve, me ekonominë në zgrip të falimentit, me pandeminë që nuk dihet se si dhe kur do të mbarojë, nuk është aq e thjeshtë sa të ngasësh një makinë të fikur pa rrip sigurimi duke bërë si i shkujdesur!

Nëse “përplas” makinën, rripi dhe airbag-ët të shpëtojnë.

Nëse “përplas” qeverinë, nuk të shpëton asgjë dhe për më tepër, të bien pantallonat.

Edhe kur janë të markës Yamamoto.

Edhe kur je mbi 190 cm.

Prandaj lidhe mirë rripin, o Lul!

Sondazh

Poll