Ramzan Kadyrov, lideri çeçen dhe një nga njerëzit e afërt me presidentin rus Vladimir Putin, tha se po monitoronte situatën në Kosovë.
Ai u shpreh se situata në Kosovë është shumë komplekse, dhe se në të ka edhe një palë të tretë – atë të nxitësve. Kadyrov akuzoi NATO-n për këtë.
“Në këtë çështje nuk është e mundur të anosh as nga serbët dhe as nga kosovarët. Por ka një qëndrim të qartë dhe të vetëm që të dy duhet të mbajnë. Kjo nuk ka të bëjë me politikën, por me fenë”, tha Kadyrov.
Ai vuri në dukje se Serbia e mbështeti hapur Rusinë “në luftën kundër nazizmit dhe satanizmit në Ukrainë”.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të cilin e njoh mirë, e kupton shumë mirë se çfarë është NATO dhe çfarë metodash përdor për të nxitur konflikte. E gjithë NATO po përpiqet të korruptojë vendet me vlera tradicionale në një tufë njerëzish të këqij pa besim dhe nder. Aleatët perëndimorë, duke kuptuar se planet e tyre po dështonin në Ukrainë, vendosën të luftojnë kundër shërimit të plagëve në Ballkan.
Është edhe më fyese që në njërën anë, të cilën NATO po e nxit, janë muslimanët kosovarë. Arsyeja zyrtare e konfliktit është aq qesharake dhe banale sa nuk ka dyshim për ndërhyrje nga jashtë. Përpara se të dyja palët të kenë kohë për të diskutuar ndonjë gjë, NATO tashmë po deklaron gatishmërinë luftarake dhe po tërheq forcat e saj në kufi. Ndërsa Ballkani po lufton me njëri-tjetrin, Perëndimi do t’i japë armë dhe do të jetojë në paqe. Mbani mend, është në avantazhin e Satanait të vendosë besimtarët kundër njëri-tjetrit nën çdo pretekst”, thotë ai.
Sipas tij, zgjidhja për Kosovën është “refuzimi i intervencionimit të NATO-s”.
“Atëherë do të ketë një kuptim të problemit dhe zgjidhjes së tij. Ka shembuj t shkëlqyer të bashkëjetesës së njerëzve të feve dhe kombësive të ndryshme. Por nuk ka shembuj të bashkëjetesës së mirë me ndërhyrësit e NATO-s”, tha Kadyrov.