Hapësire reklamuese

Social Bomb

“Letër nga burgu i Mitrovicës për motrën Monika Kryemadhi”

Shkruar nga Newsbomb
“Letër nga burgu i Mitrovicës për motrën Monika

Gazetarja e njohur Kimete Berisha ironizon pas letrës së Hashim Thaçit drejtuar kryeministrin Edi Rama duke i dërguar një letër “të ngjashme” kryetares së LSI, Monika Kryemadhi.

Më poshtë letra e plotë:

Letër nga burgu i Mitrovicës!

Motra Monikë,

Dëgjova që je djegur, je dekompozuar dhe që je bërë shkrumb e hi.

Por, hiri yt pas 5 minutave e paska marrë jetën tënde nën kontroll.

Dëgjova që je bërë feniks.

Kam kujtuar se feniksi është mashkull dhe se është grek, i biri i Herodotit, që ka jetuar në shkretëtirat arabe.

Më gëzoi shumë lajmi që ti je ringjallur, dhe më erdhi shumë mirë që i ke kaluar procedurat e ringjalljes pa pasur nevojë të vdesësh më parë.

Edhe më mirë më vjen që ti si fenikse e mirëfilltë e djeg veten sa herë bëhet puna pisk e i humb zgjedhjet, e assesi nuk lejon të të djeg askush.

Të uroj për ringjalljen e suksesshme, të uroj 500 vitet e arshme plot gëzim e hare dhe ta rikonfirmoj se gjithmonë kam pasur besim në pavdekësinë tënde!

Motra Kryemadhi,

Ti je rilindur, por në vend teje për ty ka 'ndërruar jetë' partia.

Tani ti je një feniks i mërzitur, sepse ringjallja nuk ta garanton edhe lumturinë.

Më zor është të jesh e lumtur sesa të ringjallesh.

Tani në vetmi e shikon tavanin e villës tënde prej dukati dhe çuditesh pse s'ka pasuri që ty të përmbush!

Pse Ti ndjejhesh më e pasur se pasuria!

Motra Kimete të siguron ty se kur je i varfër, në zemrën dhe në barkun tënd ka vend për krejt botën.

Jam me ty në këto momente varfërie që po i kalon!

E ke parë motër Taj Mahallën, sa e bukur dhe sa e ftohtë është, e ftohtë si vdekja, e bukur si jeta, plus e quajnë mrekulli.

Çka kemi ne faj motër, që të gjitha mrekullitë e botës janë varreza!

Shumë e dashura motër Monikë,

Mos u ndje e turpëruar pse ke kërkuar ndihmë nga Orakulli i Delfit për ta shpëtuar Shqipërinë nga kriminelët dhe nga oligarkët.

Ke kërkuar ndihmë nga Behari për ta shpëtuar Lulzimin.

Por, shqiptarët e kanë falsifikuar edhe magjinë.

Këtë nuk e ke ditur, sepse ti gjithmonë nisesh nga vetja, kujton ti, qysh je vet e sinqertë, janë të gjithë si ti.

Unë nuk besoj kurrë që e ke futur fotografinë e Edi Ramës në varreza, që ai të ftohet nga pushteti dhe nga jeta, dhe në të njejtën kohë populli të ftohet prej tij.

E di që ti je feniks shpirtmirë që e kuptuar se pa vdekje s'ka jetë.

Të lutem identifikoji publikisht mistikët dhe rregullatorët e fatit njerëzor, ata që të morën pare për ta çliruar Shqipërinë nga djalli dhe në fund ia falën shpirtin djallit.

Nata po afron dhe mua më duhet të shkoj.

Edhe unë jam e mërzitur motër, as unë nuk jam e lumtur, por unë kam probleme të dashurisë.

Ty bile së paku të ka pajtuar Lulzim Basha me Ilirin. Të kisha këshilluar ta ftosh Lulzimin të të kthej në gjendjen e mëparshme, kur ke qenë e prishur me Ilirin.

Mua, kur idhnohem me të dashurin, më pajton dashuria!

Është traditë në Kosovë, që kur prishesh me të dashurin, të pajton dashuria, jo shefi i opozitës.

Po i vë pikë kësaj letre, me dëshirat më të mira për Ty.

Të lutem, kqyrmi senatoriumet e Shqipërisë, kujdesu edhe për senatoriumet e Kosovës, se veç atëherë kur të çmendurit shqiptarë andej e këndej Kufirit me Atdhe janë mirë, edhe unë jam mirë.

P.S. Këtë letër e kam shkruar unë, bazuar në gjetjet e motrës sime Fatmire Berisha.

Nëse s'ju pëlqen, kritikojeni atë, me mua s'keni punë!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll