Denis Halili nga Dibra është konfirmuar mes 5 personave të vdekur ditën e djeshme si pasojë e një orteku që i goditi gjatë kohës që po kryenin ushtrime në alpet franceze. Vetëm 21 vjeç, Halili jetonte në Francë prej vitesh, ndërkohë që kishte vetëm 5 muaj që i ishte bashkuar Legjonit francez të të huajve.
Gjatë trajnimit ai u shqua për profesionalizimin e treguar dhe sjelljen shembullore ushtarake. Denis Halili ishte i apasionuar pas punës si inxhinier i automjeteve të blinduara.
21 vjeçari së bashku me grupin e tij po merrnin pjesë në stërvitjen dimërore të organizuar në rajonin Modane, e cila kishte nisur më 11 janar për të përfunduar më datë 28 po të këtij muaji. Shqiptari humbi jetën pas goditjes së ortekut dhe bashkë me të edhe 4 persona të tjerë.