Drejtuesi i Partisë së Lirisë në qarkun e Beratit, Lefter Maliqi, ka bërë parashikimin për zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen në 2025.
Teksa theksoi se Partia e Lirisë ka nisur punën për organizimin dhe mobilizimin e strukturave të kësaj partie, tha se Edi Rama në këto zgjedhje do të marrë më pak se 60 mandate.
Gjithashtu u shpreh i gatshëm për një përballje televizive me drejtuesin e PS-së në këtë qark, Bledi Çuçi.
“Jam totalisht i mobilizuar për ta nxjerrë fitues PL-në në qarkun e Beratit. Natyrisht që pres një rikthim në Bashkinë e Kuçovës. Ka një nuhatje nga kryeministri për të gjitha shkeljet e mazhorancës që ai ka bërë, ndaj Rama u shfaq dje i tensionuar në Asamble ku bëri presione ndaj të tijve për zgjedhjet. Ndryshe nga zgjedhjet vendore, Rama e ka të pamundur fitoren në këto zgjedhje. Për të shpëtuar vendin nga ky krim e korrupsion, rrotacioni politik është jetik. “Unë e kam të pamundur ta mendoj për një fitore të PS-së. Jam tejet i bindur se maksimumi me gjithë mekanizmat e tij kriminalë, Rama merr më pak se 60 mandate”, tha Maliqi për “Ora News”.