Kandidati i Alibeajt për kryetar të Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj i ka përcjellë një mesazh qytetarëve.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kapllanaj u kërkon qytetarëve që ta mbështesin në këtë sfidë, teksa thotë se do të jetë shërbëtor për qytetin dhe qytetarët.
“Mund të punojë me ndershmëri dhe këmbëngulje për të tërhequr investime, për të përmirësuar jetesën e qytetarëve të tij, për të qenë pranë tyre! Duhet të jemi indiferent ndaj politikës së vjetër, politikës së baltosjes dhe mbajtjes në vëmendje të konfliktit!” shkruan Kapllanaj ndër të tjera.
Kujtojmë që në garën për bashkinë, Kapllanaj nuk do ketë përballë vetëm kandidatin e PS, por edhe kandidatin e grupit të Berishës, Resmi Shanajn.
Pak ditë më parë PD e Berishës, me anë të shefit te organizimit, Klevis Balliun e denoncoi Kapllanajn duke thënë se është vegël e Ramës.
Postimi i plotë i Kapllanajt:
Të dashur bashkëqytetare Mallakastriot!
Sot sfidat tona nuk janë të lehta! Pas 10 vitesh keqqeverisje, korrupsion, kriminalitet dhe varfërim, vendi po zbrazet, të rinjtë po largohen. Këtë problem e vuan e gjithë Shqipëria e shumë fort po e vuan Mallakastra!
Sot është momenti për reflektim, sot është momenti për llogari konkrete! Të bëhemi bashkë për Mallakastrën e të japim një mesazh për gjithë Shqipërinë!
Një i zgjedhur vendor nuk mund të bëjë gjithçka, por ai mund të bëjë diçka shumë të rëndësishme për qytetin e per krahinen e tij. Mund të punojë me ndershmëri dhe këmbëngulje për të tërhequr investime, për të përmirësuar jetesën e qytetarëve të tij, për të qenë pranë tyre!
Duhet të jemi indiferent ndaj politikës së vjetër, politikës së baltosjes dhe mbajtjes në vëmendje të konfliktit!
Të mendojmë për të ardhmen tonë dhe të votojmë për interesin tonë!
Kemi treguar se sa herë jemi bashkë, bëjmë gjëra të bukura për Mallakastrën!
Prandaj me zemër ju kërkoi qe edhe në këtë sfidë të radhës të jemi bashke! Të jemi bashkë për të garantuar jo një zyrtar burokrat, por një shërbëtor për qytetin e për qytetarët!
Të bashkohemi për të ndryshuar Mallakastrën, pasi mund të bëhet dhe do bëhet!
Sot Mallakastra, nesër Shqipëria!
I Juaji Agron Kapllanaj