Hapësire reklamuese

OpEd

Last Resort - Fillimi i fundit

Shkruar nga Newsbomb
Last Resort - Fillimi i fundit

Nga Edi Oga, ekskluzivisht për Newsbomb.al

Ngjarja e bujshme e javës së shkoi, shkatërrimi i dhunshëm i një pjese të një resorti të famshëm turistik në bregun e Adriatikut, është padyshim një ngjarje tipike nga ato që e polarizojnë në ekstrem gjykimin e opinionit publik. “Dora e hekurt e shtetit ligjor” ra pa pikë mëshire mbi një “pronë private” dhe kjo u pasqyrua me detajet më të imta në televizionin më të madh informativ kombëtar dhe fare ose fare pak në televizionet e tjera të mëdha ose jo. Leximet dhe përjetimet e publikut janë aq të ndryshme, sa zënë të gjithë spektrin e mundshëm, nga ekstremiteti në ekstremitet. Nga ata që vajtojnë pa asnjë rezervë për pronën e tjetrit dhe mendojnë se pushteti ka tejkaluar çdo normë veprimi, deri tek ata që mendojnë se shteti ka vepruar drejt dhe se kjo duhet të kishte ndodhur më parë dhe më fort.

Siç ndodh rëndom, edhe në këtë rast, e vërteta qëndron në mes.

Ajo që publiku e ka të vështirë, është të kuptojë se pamjet “live”, intervistat, qarjet, ankesat, kërcënimet bëhen qëllimshëm nga të dy palët në konflikt, me qëllim përfshirjen emocionale të publikut të gjerë, për të deformuar të vërtetën e pastër të asaj që realisht ka ndodhur dhe po ndodh. Nëse në mënyrë racionale dhe në mungesë të plotë të emocionit do të “furnizonim” ekuacionin e kësaj ngjarje me disa të dhëna që jo gjithkush i di, rezultati që do të dilte nga zgjidhja e tij do të dilte më pranë të vërtetës.

Investitorët e mëdhenj, i mbështesin investimet e veta nga media të fuqishme që ata zotërojnë. Pushteti i përdor këto media në kohë fushatash por edhe më pas, duke i shpërblyer ato me “llokma” të shijshme parash publike dhe favore të tjera. Ky është “deal-i” fillestar. Të pangopur dhe agresivë siç janë, oligarkët i tejkalojnë “lëshimet” që pushteti bën për aktivitetet e tyre dhe gjithmonë rezultojnë në shkelje ligjore kryesisht me dashje. Pushteti, gjithashtu me dashje, i toleron këto shkelje duke i bërë këto media të shantazhueshme në emër të ligjit. Nga ana tjetër, oligarkët mendojnë se do t’i asnjësojnë këto “kleçka ligjore” duke përdorur fuqinë e mediave të tyre për të kërcënuar vazhdimësinë e këtij pushteti, duke adoptuar vija editoriale opozitare. Pra, gjatë ecurisë në kohë të marrëveshjeve “burrërore” që pushteti bën me oligarkët, të dy palët bëjnë hesapet e tyre të pabesa dhe tejkaluese. Sigurisht dikur vjen momenti i larjes së hesapeve. Edhe në rastin konkret, po ndodh pikërisht kjo. Pushteti po i servir publikut zbatimin e ligjit për shkelje që me shumë ngjasa kanë ndodhur, kurse privati po i servir po këtij publiku dhunën diktatoriale të qeverisë e cila sipas tyre po synon shtypjen e fjalës së lirë me anë të shkatërrimit të pronës private.

A beson njeri se në këtë vend ka pasur ndonjëherë fjalë të lirë dhe gazetari të pavarur? A beson njeri se në këtë vend ka biznese të mëdha që punojnë pa korruptuar pushtetin dhe pa u korruptuar nga ai?

Për fat të keq, ne jetojmë në një sistem i cili e ka të pamundur të funksionojë ndryshe. Raporti politikë-biznes-media-drejtësi është ndërtuar sipas një spirale zbritëse dhe ndryshimi mund të fillojë kur kjo spirale të prekë fundin. Se si është ky fund dhe kur do të ndodhë, askush nuk e di. Tani për tani na ka mbetur vetëm pak qartësi e izoluar për të parë gjërat ashtu siç janë dhe aftësia për të pozicionuar veten sa më pranë të vërtetës, kur nuk jemi të shtrënguar të bëjmë të kundërtën!

Kjo ngjarje, është tregues i nervozitetit të pushtetit, si pasojë e pashmangshme e konsumimit të tij. Sa për resortin, ai do të rindërtohet shpejt dhe shumë më i bukur!

Sondazh

Poll

Sondazh

Poll