Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka komentuar për herë të parë largimin e Agron Çelës drejt Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë vetëm një numër më pak i cili nuk ndikon në garën për Shkodrës.
“Nuk kam pasur asnjë komunikim. Kemi qenë para tre javësh në Shkodër. Kemi kaluar shumë mirë. Disa ditë para se dilte ky lajmi ka qenë në mbledhjen e kryesisë, kemi kaluar jashtëzakonisht mirë. Kemi humbur vetëm një numër. Nuk kam asnjë shqetësim. Ai ka bërë një zgjedhje të tij, është e drejta e tij”, u shpreh ai në “Vizion Plus”.
Gjithashtu, Meta është ndalur edhe te ish-kryeministri Sali Berisha i cili bëri thirrje ditën e sotme për protestën e radhës kundër qeverisë.
“Protestat dhe zgjedhjet shkojnë në harmoni me njëra tjetrën. Nuk ka asnjë arsye të konsultohet me ne për çdo protestë ndaj qeverisë. Opozita nuk ka bërë ndonjëherë thirrje për dhunë. Është qeveria që dhunon çdo ditë qytetarët shqiptarë. Është ajo përgjegjësja e gjithë kësaj dhune që shohin qytetarët e Shqipërisë”, tha Meta.