Hapësire reklamuese

Aktualitet

Lanë pas tërmetin, dy familje të tjera në Zall-Herr marrin shtëpitë e reja

Shkruar nga Newsbomb

Nuk ka gëzim më të madh se sa kur hyn në shtëpinë tënde të re. E pas tërmetit shkatërrues të një viti më parë, familjet e Hider Danit dhe Dan Danit nga fshati Çerkezë e Zall Herrit, morën sot pronësinë e banesës së rindërtuar, ku nesër do të festojnë Vitin e Ri. Më parë ato jetonin në shtëpi qerpiçi, ndërsa sot banesat e reja janë më të forta dhe më të mëdha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS Xhemal Qefalia vizituan sot të dyja familjet. Kryebashkiaku tha se tërmetet kërcënojnë kudo dhe qeveria është testuar thuajse çdo vit nga fatkeqësitë natyrore, por diferencën e ka bërë mënyra se si i ka menaxhuar ato.

Kryefamiljari Dani u shpreh i lumtur nga ndihma e qeverisë dhe e bashkisë, si dhe shprehu falenderimet për të gjithë ata që punuan për rindërtimin e shtëpive para ardhjes së Vitit të Ri.

“Sot solidarizohemi me miqtë tanë në Kroaci, të cilët po përjetojnë diçka që ne e kemi kaluar vetë. Tërmeti i prek të gjithë pa dallim. Kur erdhëm në qeveri patëm përmbytjet nga Vjosa në Novoselë, Fier dhe Darëzezë, pastaj tërmeti dhe tani pandemia. Jemi testuar çdo vit nga një fatkeqësi natyrore. Por pyetja është: “Do bëjmë fjalë si do i nxjerrim sytë njëri-tjetrit, apo do bëjmë ndonjë punë që të mbetet?” Ne kemi vendosur të bëjmë punë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se motoja e kësaj qeverie është vetëm puna, e cila edhe në këto prag festash të fundvitit nuk do ndalet, për të bërë të mundur që sa më shumë familje të gëzojnë Vitin e Ri në shtëpitë e reja. 

“Jam shumë krenar për skuadrën tonë! I falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar! E di që një pjesë e madhe e stafit do vazhdojë të punojë deri në mesnatën e datës 31 Dhjetorit, për t’u gdhirë në mëngjes, dhe për të filluar punën aty ku e lamë një ditë më parë. Mund të jetë Viti i Ri, por as tërmeti dhe as pandemia nuk njohin festa. Motoja jonë është puna, puna, puna! Puna do flasë më mirë se çdo gjë tjetër, sa herë që popullit do t’i duhet të japë vendimin e tij për mënyrën si po ecin gjërat në vend”, tha Veliaj.

Në njësinë Zall Herr është parashikuar rindërtimi i 44 shtëpive.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll