Sot, 6 dhjetor 2023, po zhvillohen homazhet në nder të Mjeshtrit të Madh, Mirush Kabashi i cili u nda nga jeta ditën e djeshme.
Në homazhet që po mbahen në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, të pranishëm janë figura të artit, politikanë, zyrtarë të lartë, kolegë, miq e familjarë të artistit të mirënjohur, Mirush Kabashi.
Aktori Mirush Kabashi u nda nga jeta dje në moshën 75 vjeçare. Lajmin e hidhur e bënë të ditur vetë familjarët e aktorit, duke thënë se ai vdiq pas mesnate më 5 dhjetor në Tiranë.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës, ndërsa është fitues i çmimit Artist i Merituar i Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 personazhe në teatër dhe 20 në filma.Origjina e tij është nga Gjakova. Me 1970 u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tirane dhe filloi punë në teatrin “Aleksander Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993.
Ne foto: Mirush Kabashi
Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. Një pjesë të jetës së tij Kabashi ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.
Çmimet
Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 Kabashi u shpall “Aktori me i mire” me rolin e Sadush Nezirit te komedia Hija e tjetrit e Ruzhdi Pulahes. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si nder aktorët më të mirë. Ne vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.
LEXO EDHE: “Erdhi në ditëlindjen time”, aktorja mes lotësh kujton takimin e fundit me Kabashin
Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.
LEXO EDHE: Shuhet i madhi Mirush Kabashi, Begaj: Lamtumirë, ‘Nder i Kombit’
Filmografia
* Kronikë provinciale (2009)
* Ne dhe Lenini (2008)
* Nata (1998)
* Edhe ashtu edhe kështu (1989)…. Babai i Almës
* Binarët (film) (1987)
* Telefoni i një mëngjesi (1987)….Kujtimi
* Zëvendësi i grave (1987)……… Lisimak Voci
* Nxënësit e klasës sime (1984)..Mësues Nardi
* Kohë e largët (1983) ………Asketi Lithan
* Dora e ngrohtë (1983) ………Brahushi
* Shoqja nga fshati (1980) ………Nasi (dajua i Tirkes)
* Një ndodhi në port (1980) ……….Calamani
* Gëzhoja e Vjetër (1980) ………Bake
* Radiostacioni (1979) ……Një nga tekniket e Radios
* Koncert në vitin 1936 (1978)… Toger Shazivari
* Zani partizani (1976) (TV)….Partizan-vëlla i Zanit
* Emblema e dikurshme (1976) ……..Veniamin Papa