Shqipëria humbi dje një tjetër artist të madh, aktorin e mirënjohur, Mirush Kabashi.
Mjeshtri i Madh u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare, pas një lufte pesë vjeçare me një sëmundje të rëndë. Sot miq, të afërm, kolegë, figura të artit dhe politikanë i dhanë Mirush Kabashit lamtumirën e fundit.
E bija e artistit, Mendi Kabashi, foli sot mes lotësh për humbjen e madhe në familjen e saj. Ajo tha për Abc News se pika e dobët e të atit ishte mbesa e tij e vogël. E bija e artistit tha se babai i saj do të bëhej gjysh i dy nipërve për pak muaj, pasi ajo dhe motra janë në pritje të ëmbël.
Mendi Kabashi tha gjithashtu se babai i saj luftoi deri në momentin e fundit dhe se pengu i tij ishte që nuk e fitoi dot luftën e fundit, atë me sëmundjen e rëndë që i mori jetën në moshën 75-vjeçare.
Mendi Kabashi: Ai e donte jetën, nuk e priste as vetë se do ndodhte. Luftoi për pesë vite, por nuk ishte e shkruar. Luftoi deri në fund. Ne erdhëm ti jepnim kurajo po ishte e kot. Besoj se i vetmi peng ka qenë që nuk e fitoi luftën e fundit. Ai po bëhej gjysh për herë të dytë. Ka një mbesë ishte pika e tij e dobët. Si karakter ishte shumë i hekurt, por me mbesën bëri kompromisin, thyhej para saj. Ai priste me padurim ardhjen në jetë të dy nipërve. Ai na ka lënë trashëgiminë më të madhe. Emrin e tij. I falenderoj të gjithë, mbi të gjitha publikun e thjeshtë.
LEXO EDHE: Shuhet i madhi Mirush Kabashi, Begaj: Lamtumirë, ‘Nder i Kombit’
Aktori Mirush Kabashi u nda nga jeta dje në moshën 75 vjeçare. Lajmin e hidhur e bënë të ditur vetë familjarët e aktorit, duke thënë se ai vdiq pas mesnate më 5 dhjetor në Tiranë.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës, ndërsa është fitues i çmimit Artist i Merituar i Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 personazhe në teatër dhe 20 në filma.Origjina e tij është nga Gjakova. Me 1970 u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tirane dhe filloi punë në teatrin “Aleksander Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993.
Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. Një pjesë të jetës së tij Kabashi ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.
Çmimet
Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 Kabashi u shpall “Aktori me i mire” me rolin e Sadush Nezirit te komedia Hija e tjetrit e Ruzhdi Pulahes. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si nder aktorët më të mirë. Ne vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.
Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.