Ukraina konfirmoi këtë të mërkurë se filloi eksporti i grurit nga tre porte, ashtu siç ishte parashikuar në marrëveshjen e nënshkruar mes Kievit dhe Moskës.
“Pas nënshkrimit të marrëveshjes nga Rusia për zhbllokimin të porteve të Ukrainës për eksportin e grurit, puna ka rifilluar në portet në Odesa, Chornomorsk dhe Pivdeny”, thuhet në një njoftim në shpërndarë në rrjetet sociale nga marina ukrainase.
Ndërkohë ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, bëri me dije se në Stamboll është krijuar një grup pune që do të mbikëqyrë eksportin e drithërave ukrainase, pas marrëveshjes të cilësuar historike që u arrit edhe me pjesëmarrjen e OKB-së.
Theksojmë se Rusia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshjen, të ndërmjetësuar nga Ankaraja dhe Kombet e Bashkuara, të premten e kaluar për të rihapur eksportet e grurit dhe plehrave që janë bllokuar nga lufta në Ukrainë, duke lehtësuar kështu një krizë ndërkombëtare ushqimore.