Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Laboratori i kokainës në Frakull, SPAK çon për gjykim grupin e trafikantëve

Shkruar nga Newsbomb
Laboratori i kokainës në Frakull, SPAK çon për gjykim

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim 11 të akuzuarit për laboratorin e drogës në Frakull.

Është çuar për gjykim dosja për Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), ish-kryekomunarit Viktor Çervanaku dhe Denilson Çervanaku, të cilët akuzohen se kanë kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.

Po ashtu Zenel Çervanku, Enxhi Ferhati, Redion Meshi, Julian Malaj, Bledar Matoshi, Marildo Rona dhe Samir Rosales Rodriguez (shtetas kolumbian), të cilët akuzohen për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.

Personat në fjalë akuzohen si porositës dhe organizatorë të trafikut të 430 kilogramëve kokainë nga Kolumbia.  Lënda narkotike e llojit kokainë ka qënë e përzier me “plehun organik” artificial dhe pas mbërritjes së saj në vëndin e destinacionit, grupi kriminal do të gjente dhe siguronte personat e specializuar që do të mundësonin ekstraktimin e kokainës së pastër, e cila më pas do të tregtohej.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për proçedimin penal nr.141 viti 2022 që bën fjalë për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 283/a, 333/a, 334/1 dhe 278 të Kodit Penal.

Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë kryer në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, me Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë së Malit të Zi, si dhe në koordinim të vazhdueshëm me disa agjensi të tjera të huaja të zbatimit të ligjit.

Nga hetimet e kryera është provuar fakti se personat e akuzuar në këtë procedim penal, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë planifikuar, organizuar dhe importuar nga Kolumbia për në Shqipëri një sasi lënde narkotike të lloji kokainë.

Lënda narkotike është transportuar dhe është fshehur gjatë transportit nëpërmjet një ngarkese me “pleh organik” artificial, e paketuar dhe ngarkuar në një kontenier, që është transportuar nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut, në Greqi, në drejtim të Portit në Bar, në Malin e Zi. Nëpërmjet transportit në rrugë tokësore ngarkesa është futur në Shqipëri në datën 19.09.2022 dhe pasi ngarkesa është zhdoganuar në Doganën e Tiranës, është transportuar në fshatin Frakull e Madhe, në Fier, ku është kryer sekuestrimi i lëndës narkotike nga policia gjyqësore.

Lënda narkotike e llojit kokainë ka qënë e përzier me “plehun organik” artificial dhe pas mbërritjes së saj në vëndin e destinacionit, grupi kriminal do të gjente dhe siguronte personat e specializuar që do të mundësonin ekstraktimin e kokainës së pastër, e cila më pas do të tregtohej. Sipas ekspertimit kimik të kryer nga Instituti i Policisë Shkencore ka rezultuar se sasia e lëndës narkotike që mund të përfitohej nga ekstraktimi i ngarkesës së “plehut organik” artificial, në vlerën e saj maksimale llogaritet të ishte në sasinë 485.5 kg.

Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.141 viti 2022 në ngarkim të të pandehurve të mëposhtëm:

  1. Të pandehurit Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Viktor Çervanaku dhe Denilson Çervanaku, janë akuzuar se kanë kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal. Këta të pandehur janë akuzuar se janë personat që kanë krijuar, organizuar dhe kanë drejtuar grupin kriminal.
  2. Të pandehurit Zenel Çervanku, Enxhi Ferhati, Redion Meshi, Julian Malaj, Bledar Matoshi, Marildo Rona dhe Samir Rosales Rodriguez (shtetas kolumbian), janë akuzuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal. Këta të pandehur janë akuzuar se janë pjesëmarrës në këtë grup kriminal.
  3. I pandehuri Redion Meshi është akuzuar edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuara nga neni 278/2 të Kodit Penal.
  4. Të pandehurit Klajdi Vrioni (Kodra) dhe Bledar Matoshi janë akuzuar edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 278/1 e 25 të Kodit Penal.
  5. I pandehuri Viktor Çervanaku është akuzuar se ka kryer edhe veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 278/1 dhe 278/4 të Kodit Penal;
  6. I pandehuri Denilson Çervanaku është akuzuar se ka kryer edhe veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, të parashikuara nga nenet 278/1, 278/4 dhe 280 të Kodit Penal;

Gjatë hetimeve paraprake është hetuar edhe shtetasi Kid Koshena, si i dyshuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/1 e 25 i Kodit Penal, por nga veprimet hetimore të kryera ndaj këtij shtetasi nuk u arrit që të provohej se ka kryer këtë veprër penale. Si rrjedhim, për këtë shtetas është paraqitur në Gjykatën e Posaçme kërkesë për pushimin e hetimeve ndaj tij.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese