Kuvendi i Shqipërisë nis sot pasdite sesionin e ri parlamentar për vitin 2015. Në seancën e parë do të bëhet miratimi i programit dhe i kalendarit të punës. Rikthimi i opozitës pritet që t’i japë jetë debateve të ashpra, lidhur kjo edhe me çështjet e nxehta që do të hidhen në diskutim.
Kalendari i punimeve për këtë sesion, pritet të jetë i ngjeshur ku fokusi do të jetë tek reforma në sistemin e drejtësisë. Për reformën në drejtësi, rikthimi i opozitës në Parlament, imponon një riorganizim të punëve të komisioneve parlamentare.
Diskutime pritet të ketë edhe çështja e dekriminalizimit të Parlamentit, kërkuar nga opozita si pjesë e paktit mes maxhorancës dhe opozitës për rikthimin e kësaj të fundit në Parlament. Mes këtyre kërkesave janë ndërtimi i një ligji për dekriminalizmin e Parlamentit dhe ngritja e një komisioni për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Pas, në planet e punimeve të Parlamentit, nuk mbeten as çështjet e ndërhyrjes në Kodin Zgjedhor për reformën territoriale si dhe hapja e dosjeve të komunizmit.