Hapësire reklamuese


Politikë

Kuvendi do t'i hapë rrugë SPAK-ut, Berisha skenar për t’u bërë “pritë” socialistëve

Shkruar nga Newsbomb
Kuvendi do t'i hapë rrugë SPAK-ut, Berisha skenar për

Opozita ka paralajmëruar protestë këtë të enjte, ndërsa Kuvendi nga ana tjetër pritet që të miratojë kërkesën e SPAK-ut, që i hap rrugë autorizimit për ndryshimin e masës së sigurisë nga “detyrim paraqitje” në “arret shtëpie” ose “arrest me burg” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në prag të nisjes së seancës plenare demokratët e Berishës kanë paralajmëruar se në orën 09:00 do të jenë para Kuvendit të Shqipërisë.

“Opozita e të drejtave të mohuara në aksion” është logo e protestës së thirrur nga Berisha. Ndërkohë, nga ana tjetër deputetët e mazhorancës të cilëve priten t’i bashkohen dhe demokratët që mbështesin kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, do të trajtojnë shqyrtimin e kërkesës për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë. Nuk priten shumë surpriza, pasi socialistët do të votojnë pro kërkesës së SPAK, oo ashtu edhe Partia Demokratike ka deklaruar hapur votën pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Berishës.

Me 6 vota pro Këshilli i Mandateve i hapi rrugën më 18 dhjetor kërkesës së SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me aferën e privatizimti të ish-kompleksit Partizani. Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, ishte i vetmi përfaqësues nga opozita i cili bashkoi votën e tij me pjesën tjetër të anëtarëve socialistë për t’i hapur rrugën lëshimit të autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/ heqjen e lirisë së Berishës.

Sakaq, mbrëmjen e djeshme u depozituan në Kuvend edhe dy raportet e anëtarëve të Këshillit të Mandateve për kërkesën e SPAK për t’i hapur rrugë për ndryshimin e masës së sigurisë për Berishës.  Njëri raport është nga mazhoranca, ndërsa raporti tjetër është i deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili ishte edhe i vetmi përfaqësues i opozitës në Këshillin e Mandateve. Të dy raportet e përpiluara në Këshillin e Mandateve kërkojnë dhënien e autorizimit për ti hapur rrugë kërkesës së SPAK që kërkon heqjen e imunitetit të Sali Berishës.

LEXO EDHE: SPAK kërkon arrestimin e Berishës, çohen në Kuvend raportet e Keshillit të Mandateve

“Prita” që Berisha do u bëjë deputetëve socialistë!

Burime për mediat, bënë me dije se plani i deputetëve mbështetës të Berishës është t’i bëjnë “pritë” deputetëve të PS, duke mos i lejuar të futen në Kuvend ditën e sotme.

Sipas informacionit të dalë nga grupi parlamentar i PD, deputetët opozitarë pritet të mbërrijnë në Parlament rreth orës 9:00. Sëbashku me ata do jenë edhe tre deputetët më të fundit të përjashtuar me 10 ditë Edmond Spaho, Kastriot Piroli dhe Saimir Korreshi. Këta deputetët do përsëritin të njëjtat veprime si në çdo seancë të dy muajve të fundit: flakadanë, kaos, dhunë dhe përplasje fizike me gardën.

Një “pritë” planifikohet të bëhet në hyrjen e Kuvendit, ndërsa një kordon tjetër në hyrjen e sallës plenare të deputetëve socialist. Gjithashtu do të tentohet të futen deputetët e përjashtuar, gjë e cila do të bëjë të mundur bllokimin e gardës duke u përpjekur të ndalojnë këta deputetë.

Nuk përjashtohet mundësia e bllokimit të ligjvënësve socialist në hyrjen kryesore të kuvendit dhe në atë anësore nga krahu Akademisë së Shkencave. Nëse ky skenar do të vihet në veprim, atëherë do të kemi përsëritjen e situatave me protestat e Lulëzim Bashës në vitin 2019, kur bllokohej hyrja e deputetëve socialist nga protestuesit e tij. Deputetët e opozitës e kanë bërë të qartë se nuk do të jenë prezent momentet kur do të votohet raporti i Këshillit të Mandateve, moment i dhënies të autorizimit të kërkuar nga SPAK për arrestimin e Berishës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese