Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Kushtetuesja bllokoi marrëveshjen, Rama "mburret" në Itali: Nuk i kontrolloj gjykatat

Shkruar nga Newsbomb
Kushtetuesja bllokoi marrëveshjen, Rama "mburret" në Itali:

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë të shtunë në eventin "Atreju 2023", për ditët e politikës, kulturës dhe debatit që mbahet në Romë për katër ditë me radhë. Fokusi i diskutimeve në panelin e hapur ka qenë marrëveshja mes dy vendeve, për strehimin e emigrantëve.

Edi Rama e ka konsideruar atë "një marrëveshje normale" dhe është shprehur se "zhurma" që po bëhet nuk duhet të frikësojë askënd.

"Është bërë zhurmë për një marrëveshje që është një marrëveshje normale mes dy vendeve me emra të ndryshëm por që unë i shoh si dy pjesë të të njëjtit popull. Për ne Italia ka qenë gjithmonë pjesë e jona edhe kur nuk mund të vinim përtej detit.

Askush nuk duhet të frikësohet apo mrekullohet kur ne bëjmë marrëveshje që kanë qëllime dhe interesa të përbashkëta. Është gjithmonë një nder të japim një ndihmë kur Italia na kërkon dhe është gjithmonë privilegj që të njihemi si miku special i Italisë. Duhet të bëjmë gjithçka që të jemi, vendi vëlla i Italisë", ka thënë Rama.

I pyetur se sa janë mundësitë që Gjykata Kushtetuese të rrëzojë marrëveshjen me Italinë, Edi Rama ka thënë se bllokimi që është bërë aktualisht është një proces automatik. Madje, kryeministri shqiptar e ka shfrytëzuar këtë moment për t'u mburrur se ai nuk i kontrollon gjykatat.

"Më vjen të qesh. Giorgia lavdëroi ata (opozitën) kur ishin zgjedhjet dhe mua nuk më njihte. Sigurisht besonte se isha një mik mes atyre ‘të parekomandueshëm’ siç thoni ju, më pas u përmbys. Në të vërtetë Shqipëria është një vend demokratik dhe Gjykata Kushtetuese ka bërë detyrën e saj dhe pezullimi i marrëveshjes është proces automatik para se të ratifikohet është provë se unë nuk kontrolloj gjykatat.

Por jam i bindur se marrëveshja nuk ka asgjë antikushtetuese. Presim me qetësi vendimin dhe më pas punojmë së bashku.  Brenda marsit është koha limite por unë jam besimplotë se vendimi do të merret shumë më shpejt, pasi është një marrëveshje shumë e rëndësishme mes dy vendeve dhe dy qeveritë duhet të dinë nëse duhet të vijojnë apo jo, pa humbur kohë", ka përmbyllur Edi Rama.

Biseda e plotë

-Kryeministër sa mundësi ka që ankimimi i bërë nga opozita në Gjykatën Kushtetuese ta prishë këtë marrëveshje, nga këndvështrimi juaj?

Edi Rama: Është diçka që mbi të gjitha më bën për të qeshur.  Jo prisni, sepse ndoshta pastaj nuk do më duartrokisni. Sepse Giorgia i përgëzoi kur bënë zgjedhjet e brendshme, mua nuk më njihte sigurisht. Mendonte se isha një prej miqve jo të rekomandueshëm siç e thoni ju, por rolet pastaj u ndryshuan, po për të folur seriozisht, mbi të gjitha unë jam i kënaqur që të gjithë e kuptojnë edhe ata në Shqipëri që goditen tërë kohën nga propaganda që Shqipëria nuk ka më demokraci, sepse ka tashmë një diktator. Ndërkohë që Shqipëria është një demokraci, gjykata kushtetuese ka bërë detyrën e saj, sepse Kushtetuta është automatike, pezullimi i një marrëveshjeje për t’u marrë në shqyrtim para se të ratifikohet nga Parlamenti, kështu që kjo është provë që unë nuk i kontrolloj gjykatat në Shqipëri. Nga ana tjetër jam besim plotë se marrëveshja nuk ka asgjë jo kushtetuese. Le të shohim pastaj, le të presim me qetësi qëndrimin dhe pastaj të punojmë së bashku.

-Brenda marsit nëse e kuptoj mirë duhet të prisni ?

 Edi Rama: Deri në Mars është kufiri kohor, por besoj, jam besimplotë që vendimi do të merret shumë më parë, sepse është një marrëveshje shumë e rëndësishme midis dy shteteve dhe duhet që të dyja qeveritë të dinë nëqoftëse mund të ecim përpara apo jo pa humbur shumë kohë.

-Kryeministër dy gjëra shumë shpejt. E para, thuhet që kjo do ishte një marrëveshje midis dy shteteve, jo midis dy qeverive,  natyrisht edhe pjesa e Gjykatës Kushtetuese, por gjëja tjetër që  jam i interesuar është se këta persona që do të sillen në Shqipëri duhet të përshkojnë 700 km në det a më shumë, e më pas do të vendosën në këto qendra e pastaj me gjasë do të kthehen pas. A nuk mendoni që Gjykata europiane për të drejtat e  njeriut do të kishte diçka për të thënë lidhur me këtë lloj dinamike. Si e përjeton këtë? 

 Edi Rama:  E shoh këtë si udhëheqës i një vendi europian, nuk jemi një vend në BE, por jemi vend E. Fakti që nuk jemi zyrtarisht në Bashkimin Europian nuk heq të drejtën për të qenë Europian. Për fat të mirë këtë nuk e vendosën në Bruksel, këtë e vendosi gjeografia. Nëse do të ishim Franca dhe do të kishim lidhur këtë marrëveshje për të ngritur një qendër pritje, jo vetëm që askush nuk do të skandalizohej, por do të thonin më së fundmi, - Franca po pret pak më tepër. Por ne nuk jemi Franca, nuk jemi as Greqia. Greqia është një vend fqinj, anëtare e Bashkimit Europian. Ka më shumë se një qendër pritjeje dhe askush nuk e zë me gojë. Atëherë pse të njëjtin lloj qendre pritje, për të njëjtën ndërhyrje, për të njëjtin lloj problemi kur bëhet në një vend brenda BE-së është një gjë e mirë, por kur bëhet në një vend europian që është në anën tjetër të detit dhe nëse nuk është në BE- është sidoqoftë pjesë e E-së duhet bërë e gjitha kjo.

-Po përpiqem tua them unë, çështja është kjo, realisht këta persona do të mbërrinin në Itali, francezët nuk do t’i donin..

 Edi Rama: Ah francezët nuk do t’i donin pse?

 -E dimë pse. Po ju mu përgjigjët me të drejtë

Kryeministri Edi Rama: Atëherë francezët nuk i duan, shqiptarët i pranojnë dhe pastaj shqiptarët janë problemi?

-Jo absolutisht. Shqiptarët nuk janë problem, në këtë rast janë zgjidhje. Pyetja në fakt nuk është nga këndvështrimi i shqiptarëve, por nga këndvështrimi i atyre që vijnë. Personave që do t’i duhet të përshkojnë dhe 700 kilometra të tjerë.

 Edi Rama: Po në rregull. Nëse shkojnë në Suedi do të bëjnë më shumë se koncepti që është shumë i qartë, por që pastaj nuk është trajtuar kurrë qartësisht është shumë e thjeshtë. Kush hyn në Itali apo në Greqi hyn në BE. Atëherë gjeografia e Italisë apo e Greqisë nuk mund të jetë mallkimi i një vendi që është në kufi dhe pastaj bekimi i një vendi që është më larg dhe që thotë: jo, jo nuk i marr unë këto, le t’i marrin ata. Pra, nëse do të shiheshin të gjitha marrëveshjet dhe kjo marrëveshje e rishpërndarjes, koncepti është që ata hyjnë në një vend në kufi me BE dhe rishpërndahen në BE, së paku kështu është rënë dakord, por për fat të keq një gjë është ajo që thuhet dhe tjetër gjë ajo që bëjnë. Por kilometrat për të hyrë në Shqipëri do të jenë ndoshta pak më shumë, por nëse marrëveshja do të funksiononte brenda BE kilometrat për të shkuar në Poloni apo në Suedi do të ishin akoma dhe më shumë apo jo?

-Kryeministër cituat një sërë vendesh të tjera dhe duke pasur parasysh që ju flisni për mikpritje, dhe ju thoni që është një zgjidhje e një problemi italian, ndoshta mund të jetë një zgjidhje dhe për vendet e tjera europiane. Pra po e përkthej që nëqoftëse në një vend tjetër sepse pamë reagimin e Gjermanisë, në raport me këtë marrëveshje do të ishte e interesuar që të bënte një marrëveshje si ajo që ju keni bërë me Italinë, do të pranonit?

Edi Rama: Dëgjoni, unë mendoj që të thuash që kjo është zgjidhja do të ishte pretendim, kjo nuk është zgjidhja ndoshta, por eshte një përpjekje për të gjetur zgjidhje në një situatë ku është e qartë se BE nuk ia del të kuptohen me njeri-tjetrin për zgjidhjen. Pastaj BE nuk arrin dot të kuptohet mes vetes për zanafillën e problemit sepse ajo që “pësojmë” ne nga këto flukse ka një zanafillë që lidhet me situatën, me historinë, me marrëdhëniet midis Afrikës dhe Europës. Atëherë, nëqoftëse në Angli të parit e Perëndimit shihet në mënyrë mjaft problematike, nëse në Afrikë është lënë terren forcave të tjera për të bërë biznes, ndërkohë që Perëndimi është vënë në rolin e një predatori për shekuj e shekuj dhe kur vjen fjala për të gjetur një jetë më të mirë shkohet drejt Perëndimit atëherë këtu duhet të ketë një vizion më të gjerë, një zgjidhje më të thellë, por ndërkohë që kërkohet një zgjidhje më e thellë e nëqoftëse kjo bëhet në mënyrë të përbashkët duhen gjetur edhe zgjidhje që ndoshta nuk janë zgjidhje të përsosura. Por, ndërkohë që është e thjeshtë të kritikohesh në përpjekjen për të bërë diçka pozitive nuk kuptohet se çfarë bëjnë ata që kritikojnë.

-Do të pranonit kërkesën e një vendi tjetër europian, të ngjashëm me atë të Italisë? 

Edi Rama: Jo, Jo! Ne kemi pasur kërkesa nga vende të tjera europiane të BE dhe kemi thënë jo.

-A mund të na thoni secilën? Se ka një dallim. Mund të na thoni se cilat janë këto vende? Cilat janë këto vende që kanë bërë të njëjtën kërkesë? 

Edi Rama: Vende kushërinj, ndërkohë që Italia është një vend kushëri, është një vend simotër. Ka një ndryshim, nëqoftëse ne e bëjmë këtë me një vend në Turqi, në Greqi për të gjitha ato arsye që s’dua t’i përsëris për të mos humbur kohë, e bëjmë si një përpjekje të përbashkët, jo si një mision për faktin që ne jemi një vend jashtë, atëherë mund të na përdorin për të na kthyer në një vend ku transferojnë problemin sepse ajo çfarë Italia po përpiqet të bëjë nuk është të transferojë problemin, Italia nuk po bën një transferim të problemit të vet, por po përpiqet të zgjerojë hapësirën për të menaxhuar këtë rrugëtim, ndërkohë që e trajton vetë problemin. Kur një vend kushëri vjen nga shumë larg edhe thotë : Dëgjo, a mund të më japësh një dhomë se dua të transferoj një problem të timin. Nuk besoj se askush këtu do ta bënte për një kushëri apo jo?

-Për të kuptuar sepse thatë diçka më parë dhe në fakt janë dhe përgjegjësi perëndimore për fluksete mëdha emigratore, pra cila eshte përgjigja për temën.

Edi Rama: Dëgjoni, duhet të kuptohemi. Perëndimi ka një problem shumë të madh të rënies demografike. Perëndimi doli nga Lufta e Dytë Botërore dhe kishte një moshë mesatare 25 vjeç. Sot është drejt 50 vjeç. Dhe nuk më duket se ka ndonjë dëshirë për të bërë shumë fëmijë. Atëherë ku do të gjendet krahu i punës? Nga ana, tjetër forca jonë, - e juaja sepse ne nuk jemi akoma në BE - siç e dini qëndron ose është duke u reduktuar sepse nëqoftëse pas Luftës së Dytë Botërore një pjesë e rëndësishme e pasurisë botërore gjendej në Europën perëndimore sot nuk është më kështu. Në një parashikim të Goldman Sachs tregohet që nuk është një burim kundër perëndimor apo kundër kësaj zone dhe thuhet se në 2015  i vetmi vend që do të jetë dhjetëshen kryesore të vendeve më të zhvilluara, është dhe Gjermania dhe do të jetë ne vendin e nëntë ndërkohë që SHBA do të humbasin vendin e parë dhe do të jenë të tretët pas Kinës dhe Indisë. Duhet arsyetuar për këtë gjë dhe duhet kuptuar se çfarë mund të bëjë Europa së bashku.

Ndoshta unë do të jem në konflikt shumë të madh interesi, por ju me konflikt interesi në Itali jeni mësuar prej shumë vitesh. Nëse ka një arsye pse unë kam respekt shumë të madh për atë që përpiqet Gorgia nuk është vetëm se ajo ka dalë përkundër të gjitha parashikimeve për një apokalips fashist që bëheshin por është saktësisht kjo përpjekja për të bindur Europën se është nevoja për të punuar së bashku. Dhe nëse me lejoni Georgia ndoshta nuk është korrekte karshi teje por më duket se po bën një gjë mjaft të rëndësishme duke kaluar nga një sovranizëm nacionalist në kërkim të një sovranizmi a sovraniteti europianist, në kuptimin që Europa duhet të zgjohet dhe të kuptojë sesi duhet të lëvizë për brezat e ardhshëm sepse për të fituar zgjedhjet e ardhshme ndoshta është shumë më e lehtë por për të fituar betejat për brezat e ardhshëm është shumë më e vështirë në kuptimin që Europa duhet të zgjohet dhe të kuptojë sesi duhet të lëvizë për brezat e ardhshëm sepse për të fituar zgjedhjet e ardhshme ndoshta është shumë e lehtë por për të fituar betejën për brezat e ardhshëm është shumë e vështirë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese