Një shprehje thotë “Mos e ler një krizë të madhe të shkojë dëm”, e mesa duket kjo është moto e pronarit të Farma Net Albania, që në pak ditë ka arritur të fitojë miliona euro tendera për të siguruar pajisje mbrojtëse për pandeminë nga koronavirusi.
Kompania Farma Net Albania, me pronar Sokol Topçiun ka arritur të fitojë mbi 3 milion euro tendera nga disa institucione të qeverisë shqiptare, për t’i pajisur ato me maska mbrojtëse, dezinfektantë dhe ndonjë pajisje tjetër për të mbrojtur punonjësit e tyre nga koronavirusi.
Në një kohë kur qeveria shqiptare ka vendosur të pezullojë të gjithë tenderat e tjerë, përveç atyre që kanë lidhje me Covid-19, Farma Net Albania SHPK ka arritur të kapë një tender të majmë me vlerë plot 3.46 milion euro, së bashku me kompaninë tjetër “Euromed”, sh.p.k, tender nga Ministria e Shëndetësisë.
Por pa garë, dhe në mungesë transparence, Farma Net ka vijuar të pasurohet, në një kohë kur gjendja ekonomike e shqiptarëve po vështirësohet gjithnjë e më shumë në këtë kohë pandemie.
Kështu Farma Net Albania e Sokol Topçiut ka arritur të “kapë” edhe 200 mijë euro të tjera nga dy tendera me vlerë 100 mijë euro secili nga OSHEE dhe Posta Shqiptare!
E vetme në garë, dhe brenda një dite, Farma Net ka arkëtuar shuma të mëdha parash, për të furnizuar me mjete mbrojtëse si maska dhe dezinfektant këto institucione.
Sa i përket furnizimit, kjo është një temë tjetër që mbetet për tu parë. Duke patur parasysh faktin se nga një tender Farma Net ka marrë 100 mijë euro nga një tender i shpejtë një-ditor, dhe nëse një maskë mbrojtëse e llogarisim me bujari 1 euro me shumicë, atëherë Farma Net do të duhet të furnizojë me 100 mijë maska për rreth 2 mijë punonjës të Postës apo institucioneve të tjera. /NEWSBOMB.AL
3.4 milion euro nga Ministria e Shëndetësisë në xhepat e Farma Net Albania:
100 mijë euro nga OSHEE, Farma Net e vetmja në garë
100 mijë euro nga Posta Shqiptare për Farma Net brenda ditës