Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur në takim nga presidenti turk, Recep Tayip Erdogan me të cilin kanë mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Përmes një psotimi në facebook, Kurti thotë se diskutuan për raportet miqësore mes dy vendeve, për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar dhe të sigurisë e mbrojtjes.
Kurti e ka falenderuar Erdoganin për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Këshillin e Evropës.
Postimi i plotë i Kurtit:
Me ftesë të presidentit të Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, sot bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadorin e Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi dhe ish Kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ishim në një vizitë pune në qytetin historik të Stambollit.
Përgjatë takimit dhe darkës së punës biseduam për raportet tona miqësore dhe për mënyrat sesi mund t’i thellojmë e forcojmë ato. Diskutuam edhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar dhe të sigurisë e mbrojtjes.
I jemi përherë mirënjohës Turqisë për mbështetjen e pakursyer në çdo etapë të ndërtimit të shtetit tonë e shumë fusha të zhvillimit të tij. Presidentin Erdogan e falënderova për mikpritjen e përzemërt dhe për përkrahjen e zëshme të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Këshillin e Evropës.