Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila kufizon transaksionet cash me dinarin serb. Në një intervistë për Bloomberg në Londër Kurti tha se qeveria e tij nuk do të ndërhyujë në Bankën Qendrore.
Kurti ritheksoi se me rregulloren e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk ndalohet mbajtja e dinarëve serbë, pasi kjo valutë mund të përdoret për pagesa vetëm pasi të konvertohet në euro në një nga bankat e licencuara në Kosovë.
“Nuk mund ta zhbëjmë këtë vendim. Pra, ata kërkuan për më shumë kohë dhe ne po u japim më shumë kohë. Tani, edhe partnerët tanë amerikanë dhe evropianë po thonë se rregullorja është ligjore sepse po lufton financimin e terrorizmit, aktivitetet e paligjshme, por ne nuk duhet të ngutemi shumë në zbatimin e plotë. Dhe kështu do të veprojmë gjatë shkurtit”, tha Kurti.
Rregullorja për dinarin serb ka hyrë në fuqi në Kosovë që prej 1 shkurtit. Sipas Rregullores së re valuta e vetme për transaksione me para cash në Kosovë është euro, dike kufizuar në këtë mënyrë dinarin serb.
Lexo edhe: BQK-ja lëshon linjë telefonike pa pagesë për serbët e Kosovës në lidhje me dinarin
Faktori ndërkombëtar e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës pse nuk e ka shtyrë afatin për zbatim të rregullores së BQK-së, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin, shkruan REL. Ditëve të fundit, BQK-ja e ka vendosur në dispozicion një linjë telefonike falas, që serbët të mund të informohen më shumë për rregulloren e re.Kushtetuta e Kosovës përcakton që duhet të ekzistojë vetëm një valutë për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Kosova nuk është pjesë e Eurozonës – të cilën e përbëjnë 20 vende anëtare të Bashkimit Evropian – por e ka euron si valutë kryesore prej vitit 2002.