Kryeministri Edi Rama është treguar i ashpër në përgjigjen e tij kundër opozitës për sa i përket debatit për Portin e Durrësit.
Ai tregoi në foltoren e Kuvendit, disa pamje të portit aktual të Durrësit, duke theksuar se aty po lulëzon ndryshku dhe po kalben mjetet lundruese. Rama shtoi se porti është si një platformë e zezë, si fytyra e atyre që përndjekin Shqipërinë që prej 1912.
Rama: Ne jemi krenarë për kontratën që e sjellim për votim në Kuvend. Do të kemi kohë të përballim dokrrat. Dikur në kohën kur në Shqipëri sapo kishte nisur të qeveriste Napoleoni i gjirizave, zbriti një Piter Pan. Njeriu i duhur në kohën dhe vendin e duhur që ra mes minjve të gjirizit që kërkuan të kërcejnë napoleonin me shaminë përgjysmë. Ishte diku viti 2006. Iku me të katra sipërmarrësi për në Mal të Zi që ndryshoi përgjithmonë vendin fqinj me Porto Montenegro.
Shihni bilancat e pagesës në Mal të Zi. Atje pati rritje të ndjeshme të rrogave në sektorin privat dhe publik. Hapni sytë. Po ç’ti hapni sytë, s’ju lë mallkimi që keni mision. Ai investim ishte 10 herë më i vogël se ky që do të bëjmë ne për Durrësin që nëse s’do ishte trajtuar si lodër në duart e tyre të pista, do kishim prej vitesh portin turistik dhe shqiptarët do kishin të mirat dhe të ardhurat e mëdha që do i sillte vendit tonë, jo Malit të Zi.
Do të kemi një investim në një vepër të konsiderueshme. Ju jeni mallkuar me ujin e zi të punëve të brendshme të ngatërruara, jeni mësuar që të vini vërdallë si gomaricat e Faik Beut, që i ndritë shpirti aty ku na sheh sot. Këmbë e bufit prap është thyer dhe kukuvajka ka lëngjyer e sesi luftoni për darën ju o trima, që kur shkulni gozhdën, ju mbetet vrima. A do qumësht a do dhallë, gomaricat vijnë vërdallë?