Ky është një lloj refleksioni nga Landi i West Side Family i cili ka dalë në përfundimin se fëmijët, të moshuarit e kafshët nuk shtiren kurrë. Këtë Landi e ka faktuar nga përvoja e tij personale jetësore. Këngëtari thotë se edhe kur shan “me fis e farë”, edhe kur buzëqesh nuk e harron dashurinë e publikut të tij, pasi për të nuk është e vlefshme të fitojë botën kur humbet dashurinë.
Lexoni të plotë çfarë shkruan ai:
“Gjatë jetës sime, jo vetëm në ekran, por edhe kudo, kategoritë e mësipërme kanë qenë më të drejtpërdrejtat, jo të shtirura, të vërteta dhe që e thonë mendimin e tyre dhe e shprehin dashurinë e tyre në çdo moment ashtu siç e ndiejnë.
Nuk ka qenë e nevojshme të dëgjosh nga ana e tyre që të lavdërojnë punën tënde e t'a krahasojnë duke përbuzur punën e tjetrit, ose që me një buzëqeshje vrasësi të stampuar në turi ose me një puthje tradhëtare alla Juda Iskariot të thonë: - Ooo xhani vogël, o yll sa i mir' që je!
- Shpirti im o zemër tiii ti e meriton!
- Grupi juaj është më i mirë se ky tjetri!
- Po ku ka si ty moreee???!!!
- Etj
Nuk ka qenë kurrë e nevojshme pasi nuk janë ndjerë të kërcënuar, xhelozë, apo pa vëmendjen e duhur, ose të sfiduar. Nuk u është dashur të jenë fallco, apo gjithë sheqer veleritës komplimentash, ose pjesë grupesh hijenash që bëhen palë me Luanin Skar tek filmi "Lion King". Ka qenë kjo dashuri shtysa ime dhe jonë kryesore për të dhënë maksimumin sa herë kemi patur mundësinë e performancave të ndryshme.
Edhe kur shaj nga far e fis (ata që janë fallco ose çdo fenomen antivlere) edhe kur buzëqesh nuk e harroj dashurinë tuaj, sepse nuk kam arsye për t'u shtirur apo që për arsye përfitimi, t'i them derrit dajë. - E ç'vlerë do të kishte për njeriun nëse do të fitonte Botën, por do të humbte dashurinë?”