Hapësire reklamuese

Politikë

"Kur hyra, pata një emocion të fortë", Belind Këlliçi dorëzon mandatin: Ama shpejt vura re gënjeshtrën dhe urrejtjen! Do jeni modeli politik që do luftoj

Shkruar nga Newsbomb
"Kur hyra, pata një emocion të fortë", Belind

Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka mbajtur këtë të enjte fjalën e tij të fundit në Kuvend, duke treguar përjetimet e ditës së parë, në shtator 2021, dhe ato me të cilat u përballë më pas. Gënjeshtra, intriga dhe urrejtja janë disa nga tiparet që thotë se gjeti në sallë.

"Kur hyra për herë të parë në këtë sallë, në shtatorin e vitit 2021, pata një emocion të fortë. E kisha ngarkuar veten me pritshmëri të mëdha, pasi nuk besoj të ketë privilegj më të madh për një njeri politik, për një të ri, se sa të marrë besimin e njerëzve, t’i përfaqësojë ata dhe të betohet si deputet i Republikës.

I thoja vetes se po futem në aulën ku janë bërë ndryshime të mëdha, e ku janë marrë vendime historike për vendin tim. Do kem dhe unë një karrige aty ku dikur është ulur Azem Hajdari, ku ka qenë Pjetër Arbnori, Gramoz Pashko, Sokol Olldashi, aty ku sot është Sali Berisha, apo ku ka qenë Rexhep Mejdani, e ku sot vijon të jetë Pandeli Majko, kryeministri i luftës së Kosovës.

Me këtë trysni emocionale, me këto ide se po bëhem pjesë e një trupe të rëndësishme që udhëheq vendin, hyra në Kuvendin e Shqipërisë. 

Shpejt vura re se shenjtëri jo që nuk gjeta, por më keq, profanja, spekulimi, gënjeshtra, sulmi, urrejtja, vulgu, qenë tiparet e pandashme të Parlamentit tonë. Pothuaj asgjë këtu nuk dallova që ka të bëjë me jetën e qytetarëve, me shqetësimet e tyre. Një rendje e çmendur për interesin personal, një makutëri për pushtet, një lakmi për privilegje", u shpreh Këlliçi.

Ai është kandidat i opozitës për Bashkinë e Tiranës dhe përballë ka socialistin Erion Veliaj. Megjithatë, në fjalën në Kuvend Belind Këlliçi tha se modeli politik që gjeti nuk është modeli që ai do të ndjekë, por ai që do të luftojë me sa fuqi të ketë.

"Nuk mund ta fsheh, që largohem i pezmatuar, kur mendoj se si kryeministri i vendit tim ka lëshuar këtu fyerjet dhe etiketimet më të rënda ndaj opozitës dhe ku asnjë ditë nuk ushtroi atë që njihet si themeli i vlerave europiane, që është mbajtja e përgjegjësisë.

Por një gjë e di mirë. Modeli politik që keni ofruar ju, kjo sallë, ky kryeministër dhe kjo qeveri, nuk do të jetë kurrë modeli që unë do të ndjek. Por do te jetë modeli që do ta luftoj me sa fuqi do të kem", përmbylli Belind Këlliçi.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu