Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Kulture & Art

Shkrimtari dhe diplomati Fate Velaj, promovon romanin e tij të ri “Mossanga” në sheshin e Libohovës

Shkruar nga Newsbomb
Shkrimtari dhe diplomati Fate Velaj, promovon romanin e tij të ri
Fate Velaj, autor i romanit "Mossanga"

Shkrimtari, piktori, fotografi dhe Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj ka promovuar të Premten në qendër të Libohovës romanin e tij të ri, “Mossanga”. Eventi që u mbajt në kuadrin e veprimtarisë "Qytetet me kala"  në prani të një numri të madh qytetarësh dhe të shumë personazheve të njohur të jetës publike në Qarkun e Gjirokastrës.

Ishin të pranishëm kryetarët e bashkive Libohovë, Gjirokastër dhe Tepelenë, konkretisht Leonard Hide, Flamur Golemi dhe Tërmet Peçi, si dhe kryetari i Këshillit te Qarkut, Dino Selimi dhe Prefekti Odise Kote. Në këtë promovim ishte edhe vetë autori i romanit, Fate Velaj

Për librin e pestë të këtij autori, romanin “Mossanga” folën studiuesi dhe shkrimtari libohovit Besnik Ismailati dhe shkrimtari Odise Kote.  “Mossanga” është romani i pestë i Fate Velajt. Më i larti i letërsisë shqipe Ismail Kadare, e ka shkruar: “Gjuha e shkrifët dhe plot kolorit e këtij autori Fate Velaj është një grishje për lexim që duhet përshëndetur nxehtësisht”.

Romanet e Fates, tha shkrimtari Odise Kote, kanë shumë veçori dhe karakteristika që e bëjnë atë një autor ORGJINAL dhe UNIKAL të pangjashëm me romancierët e tjerë.

Shkrimtari dhe diplomati Fate Velaj, promovon romanin e tij të ri
Shkrimtaret Fate Velaj dhe Odise Kote

Vetë autori Fate Velaj kur mori fjalën tha se në këtë roman ai sjell ngjarje e personazhe nga qyteti me histori i Vlorës që nga viti 1966 deri në vitin 1991.

Në një farë kuptimi ky roman është një “Kronikë në kaltërsi” e Vlorës, pak a shumë si “Kronikë në gur” e Ismail Kadaresë për Gjirokastrën dhe këtë gjë autori e ka pranuar vetë me plot kurajo e krenari edhe gjatë një prezantimi që u bë rreth 20 ditë më parë në Vlorë. Lexuesi zbulon në roman  përshkrime, ngjarje, portrete njerëzish autoktonë dhe të tjerë të ardhur nga bota, me mentalitete dhe kultura të ndryshme, etnografi, ngjyra, episode të njohura e të panjohura, peizazhe, evente, informacion kulturor dhe enciklopedik për ngjarje, zakone, antropologji dhe natyrisht të shoqëruara me linja të holla humori.

Romani është një skaner social i Vlorës dhe Shqipërisë së epokës së komunizmit. Aty gjen historinë e kongolezëve që zbritën në Vlorë në vitin 1966, deri në 1991, kur u larguan nga Shqipëria- tha vete autori Fate Velaj.

 Izolimi i skajshëm i vendit, sipas tij, prodhonte anomali e lëndime jo vetëm ndaj ndaj vlonjatëve vendas dhe atyre pak shtetasve të huaj që fati i kishte dënuar të jetonin brenda telave me gjëmba. Absurdi i kohës shkonte deri aty, nënvizoi ai, sa që për sistemin, çdo i huaj ishte një armik i mundshëm.

Ky roman, që i kushtohet qytetit të tij të lindjes, arrin të bëjë një diferencim të qartë midis bujarisë dhe mikpritjes vlonjate për të huajt dhe qëndrimit dyshues dhe dogmatik të regjimit.

Letërsia e Fate Velajt është mirëpritur dhe ka zgjuar interes jo vetëm të lexuesit dhe kritikët në Shqipëri, por edhe të lexuesve në disa prej metropoleve europiane, pasi krijimtaria e Fates është e përkthyer në mbi dhjetë gjuhë të huaja.

Letërsia e tij është orgjinale në stil e në përmbajtje, “ndryshe në gjithçka”. Këtë e pohon me plotë gojën edhe vetë më i larti i letërsisë shqipe Ismail Kadare kur thotë: "Ardhja në letrat shqipe e një autori origjinal si Fate Velaj është një ngjarje letrare, një risi e papritur dhe e gëzueshme për lexuesit. Kemi të bëjmë me një autor tejet të veçantë, ndryshe në gjithçka, me një gamë të gjerë larushmërie përthithëse, plot freski dhe stil rrëfimtar të magjishëm”.

Krijimtaria e tij duhet parë siç është vetë Fatja, si një e tërë dhe në lëvizje të përhershme. Një karakteristikë tjetër e krijimtarisë së Fates është lëvizja, hapësira dhe koha.

Krijimtaria e artisti vlerësohet nga të huajt pasi portat e rënda perandorake të Vjenës nuk hapen aq lehtë për hyrë suksesi i një emigranti, edhe kur ky është diplomat, pa dhënë prova e dëshmi të fuqishme për vlerat e talentit, pa meritë, pa sjellë vlera të orgjinalitetit krijues. Prova që vetë Fatja i tejkaloi me sukses, me vullnetit, besimin, shpirtin krijues me optimizmin e spikatur që e karakterizon.

Kur njeriu udhëton shumë si Fatja, ka se ç’të tregojë.

Engjëll Serjani, Libohovë, 11 Tetor 2024

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese