Aktori dhe regjisori Gëzim Kame feston sot 77 vjetorin e lindjes. Një urim të veçantë e ka marrë nga miku i tij Pëllumb Kulla, i cili thotë se pavarësisht se vitet ikin, angazhimi i Kames për artin skenik dramaturgjinë shqiptare nuk ndalet.
"Gëzuar dy shtatat miku im! Gëzim Kame sot mbush 77 dhe unë i uroj të mbushë tre njësha! Regjisori i mirënjohur nuk i përfill vitet dhe për të mirën e artit skenik nuk rresht angazhimin në fushën e skenës duke promovuar vlera të dramaturgjisë kombëtare që në këtë tranzicion, duket si e braktisur nga përkujdesjet institucionale.
Për mikun tim unë kam shkruar shpesh, pasi ai është një nga regjisorët që, ndoshta më shumë nga të tjerët, ka kërkuar përherë rrugë të reja, shtigje të pazbuluar më parë në fushën e teatrit kombëtar", shkruan ndër rreshta Pëllumb Kulla, koleg në regjisurë dhe mik i Gëzim Kames.
Gëzim Kame ka lindur në Tiranë me 7 Nëntor 1947, regjisor i karrierës, ish-drejtori artistik dhe i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar, tridhjetë vjet ish-pedagog në Akademinë e Arteve dhe trembëdhjetë vjet Dekan i këtij fakulteti.
"Këto pak shënime janë thjesht për urimin e Ditës së tij dhe nuk do të shtrihem shumë. Por nuk do të rri pa nënvizuar se ai ka meritën e madhe për një punë të kualifikuar në fushën pedagogjike dhe në përgjithësi në tërë drejtim-administrimin e fakultetit të dramës dhe teatrit, të cilën e ka drejtuar për dhjetra e dhjetra vite.
Aty ai ka qenë angazhuar në një punë mësimore që nga abc-ja e mjeshtërisë së aktorit e deri tek realizimi i spektakleve me elementin studentor, vepra që mund të rrinin me dinjitet krah atyre të teatrove profesioniste.
Kjo është një fushë që përbën objekt studimor që një ditë duhet medoemos të fillojë të rrihet. Dhe jam i bindur që ky individ, Gëzim Kame, në ato studime do të zerë një hapësirë dhe një kënd nderi, sidomos për faktin se atij i takon merita për hartimin e librit të vetëm studimor për mjeshtrinë aktoriale", përmbyllet mesazhi i Pëllumb Kullës.