|
|||
|
Sot, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është vendosur në skenë një performancë e veçantë, ku u bënë bashkë elementë të baletit modern shoqëruar nga skenar i lexuar dhe i performuar gjatë shfaqjes. Vepra ishte “Nga pafajësia në pafajësi” që mbante autorësinë e Julian Bulkut dhe regjia e Inis Gjonit.
Kjo vepër trajtonte emigrimin, jo vetëm si një realitet normal për thuajse gjithë shqiptar, por edhe sepse ky largim nga vendi përkon me dëbimin nga “Edeni” i pafajësisë dhe i fëmijërisë. Kthimi në pafajësi lidhet me zhvillimin shpirtëror të artistit, por dhe me kthimin në vendlindje pasi kjo është performanca e parë e balerinit pas kthimit nga emigrimi në Europë. Muzika e Alban Laros u evidentua në këtë vepër, ku nuk mund të mungonin as duartrokitjet e publikut. Muzika e tij ishte unike, pa kufij dhe origjinale në mënyrën e saj.
Ashtu si dhe babai i tij, Kujtim Laro, Albani është angazhuar në kompozime për disa vepra teatrore e kinematografi si: “Burka e Medeas”, “At Sergi”, “Sophia”, “Foreigner” etj.
Performanca “Nga pafajësia në pafajësi” edhe pse mbetet në thelb shqiptare dhe mund të interpretohet edhe si një vepër dedikuar vendlindjes është si e pakohë. Elementet e folklorit shqiptar si fustanella dhe qeleshja, balerini i zotëroi në mënyrë profesionale, duke i përdorur jo vetëm si elemente estetikë, por edhe si një shpalosje e bukurisë së trashëgimisë kulturore shqiptare që tingulli i Laros i shoqëroi me shumë elegancë.