
U mbajt sot në mjediset e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” aktiviteti me temë “Maks Velo, ide të pandryshueshme", lexime dhe reflektime.
Kritiku i artit, Abaz Hado dhe kuratori Gent Gjikola shpalosën përpara të rinjve të pranishëm në aktivitet artistin shumëdimensional Maks Velo, një artist i papërsëritshëm, një mendimtar i guximshëm dhe një zë i lirë në kohëra të vështira.
Figura e Maks Velos, një krijues që nuk ndaloi kurrë së sfiduari kufijtë e artit dhe mendimit u vlerësua edhe nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli dhe drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Etleva Demollari.
Takimi u shoqërua edhe me lexime nga krijimtaria e tij letrare.Aktiviteti u organizua në kuadër të Viti i Maks Velos si dhe 5-vjetorit të vdekjes së tij.Maks Velo ishte më shumë sesa një artist. Ai ishte një zë i fortë i lirisë në një epokë kur liria ishte e ndaluar.
Ai vuajti burgimin dhe persekutimin, por asnjëherë nuk iu nënshtrua heshtjes.Në çdo veper të tij, në çdo rresht të shkruar, Maks Velo na tregoi se arti dhe fjala janë arma më e fuqishme kundër padrejtësisë.
Pikturat e tij, të cilat shpesh reflektonin ngjyrat e shpirtit të tij, flisnin për jetën, për dhimbjen dhe për shpresën.
Arkitektura e tij, ndonëse shumë prej veprave të tij u ndaluan apo u shkatërruan, mbeti një simbol i së bukurës që ai e kërkonte me aq përkushtim.
Maks Velo ishte një artist me një stil të veçantë që sfidonte normat dhe pritshmëritë e artit tradicional shqiptar. Pikturat e tij dalloheshin për ngjyrat e forta, format gjeometrike dhe një ndjenjë të thellë të lirisë. Ai nuk i përmbahej rregullave strikte të realizmit socialist, që ishte dominant në epokën kur krijoi, por kërkonte të shprehte emocionet dhe mendimet e tij në mënyrë autentike.
Stili i tij shpesh përmbante një ndërthurje mes arkitekturës dhe pikturës, duke reflektuar pervojen e tij si arkitekt dhe pasionin për hapësirat.
Elementet abstrakte dhe simbolike në veprat e tij shpesh shprehën rebelimin e tij ndaj shtypjes dhe kufizimeve, ndërsa temat e tij flisnin për dramat personale, të tilla si burgimi dhe vuajtjet nën regjimin totalitar.
Kritikët shpesh e përshkruajnë stilin e tij si një thirrje për liri, një përpjekje për të krijuar një botë alternative ku artisti dhe shpirti i tij të mbeten të paprekur nga realiteti brutal i kohës. Në pikturat e tij, Maks Velo krijoi një gjuhë universale të ndjesive njerëzore, duke i dhënë artit shqiptar një zë unik.
Vepra e tij mbetet një thesar i çmuar që frymëzon brezat e rinj për të ndjekur rrugën e guximit dhe autenticitetit në art.