Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Kulture & Art

Ndahet nga jeta regjisorja Nenci Rhodes, e para amerikane e ftuar në TKOB

Shkruar nga Newsbomb

Ndahet nga jeta regjisorja Nenci Rhodes, e para amerikane e ftuar në TKOB

Nga Andis Gjoni

Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta ditën e shtunë të mikeshës dhe regjisores amerikane Nenci Rhodes. Me të në vite më lidhën shumë shfaqje të suksesshme por mbi të gjitha vënia për herë të parë në skenën shiptare të një muzikali amerikan.

Vetëm para pak muajsh e përkujtova këtë eveniment të 20 viteve më parë në rrjetet sociale. Ishte viti 2004 kur me ftesë të drejtorit z. Zhani Ciko u krijua një ekip amerikan për të bërë realitet një ëndërr të kahershme të tijën që edhe skena shqiptare të kishte eksperiencën e një muzikali. Kjo ide pati shumë kundërshtime në atë kohë e madje u anatemua, megjithatë maestro Ciko nuk u tërhoq nga vizioni i tij duke arritur një sukses për veprat skenike të TKOB.

Nencin e njoha pikërisht me këtë projekt. Takimin e parë e pata në zyrën e saj në Bruklin. Më la përshtypjen e një gruaje të kulturuar e me eksperiencë në fushën e artit skenik. Ajo kishte realizuar regjinë e dhjetëra shfaqjeve në vende të ndryshme të botës dhe po afrohej të vinte në Tiranë të jepte eksperiencën e saj.

E mbaj mend kur mbërriti në aeroport dhe meqenëse TKOB kishte vetëm një makinë në dispozicion që atë ditë ishte e zënë, më dërguan mua me Raqin, mekanikun e skenës që t’a prisnim. Nencit sapo doli nga dera e aeroportit unë i urova mirëseardhjen dhe ajo duke shikuar nga Raqi i parruar e me rroba pune duke qeshur më foli siç e kishte zakon duke e zgjatur zanoren e emrit tim “Andiiiiiiis, kush është ky zotëria?” Megjithatë surprizat e ditëve të qëndrimit në Shqipëri do ishin pozitive për amerikanët veçanërisht u befasuan nga niveli i lartë profesional i artistëve shqiptarë.

Dirigjenti Xhon Jafe kur ju kish thënë miqve të tij që do shkonte në Tiranë për muzikalin “West Side Story” ata kishin pyetur të habitur: “Pse ka Teatër Opere Shqipëria?” Përveç tij në grupin e punës ishte edhe Xhastin Shervud si koreograf. Në pushime midis provave unë bëja shaka e ju thosha “Mbajeni mend jemi të parët artistë që po vemë në skenë një muzikal në Shqipëri, në të ardhmen bustet tona do jenë në korridoret e këtij Teatri” dhe të gjithë qeshnim.

Nenci veçanërisht ishte shumë kërkuese dhe punonte me seriozitet të madh. Prej punës me të mësova shumë. Muzikali ishte një gjini a panjohur për artistët shqiptarë që do interpretonin në skenë dhe kjo paraqiste vështirësi.

Po ashtu edhe koha e kufizuar që na ishte vënë në dispozicion prej vetëm tre javësh ishte e pamjaftueshme, po të kemi parasysh se spektakle të përmasave të tilla kërkonin një kohë më të gjatë. Megjithatë pasioni dhe dedikimi me të cilin iu kushtuam këtij realizimi të parë do bënin që në fund të dilte një shfaqje e bukur.

Në vitet e mëpasme bashkëpunuam edhe në shfaqje të tjera si në muzikalin “Puthmë Keit” përsëri në skenëne TKOB. Miqësinë e vazhduam për vite me rradhë. Takoheshim shpesh në aktivitete që ajo organizonte ku asnjëherë nuk harronte të ftonte edhe mamanë time pianisten Hermira Gjoni. Ajo ishte një personalitet i komunitetit artistik të Nju Jorkut, me bashkëpunime e njohje të shumta me producentë, regjisorë, këngëtarë e skenografë. Gjithmonë e papërtuar me një energji të admirueshme.

Ishte nga ato gra me një moshë të papërcaktuar, asnjëherë nuk e mora vesh moshën e saj, që në ditën që e kam njohur e deri para pak muajsh në bashkëpunimin e fundit ajo ishte njësoj e pandryshuar, Nenci. Punuam një shfaqje shumë të bukur në një kohë rekord që u realizua në Amfiteatrin e Muzeut Hudson në Nju Jork ishte opera “Konsulli” e Xhiankarlo Menotit.

Pas shfaqjes mora një e-mail nga Nenci, më i bukuri që kam marrë ndonjëherë nga një bashkëpunëtore, në të shkruhej: “Për atë Zot, ti vërtetë meriton çmimin Oskar për operën “Konsulli”, çfarë skenografie të bukur ke krijuar, e dizenjove, e ndërtove dhe e instalove në një kohë rekord …  gjithçka nga artisti i pasionuar Andis Gjoni, madje krijove edhe kostumet edhe shumë nga objektet e rekuizitës! Një falenderim është krejtësisht i pamjaftueshëm për kontributin e jashtëzakonshëm në këtë produksion. Ishte një nder që punova me ty përsëri e ndoshta kjo ishte pjesa më e bukur e këtij produksioni. Të falenderoj shumë Andis për këtë skenografi të mrekullueshme e të veçantë për operën “Konsulli”.

Fjalë vlerësuese që nuk do t’i harroj kurrë. Bashkëpunimin e fundit e patëm vitin e kaluar me shfaqjen “Engjëlli i Amazonës” të cilën ajo e kishte shumë për zemër por dhe mua më frymëzoi sepse përputhej me idealet e mia për mbrojtjen e natyrës. Punuam edhe aty me shumë përkushtim dhe Nenci ishte si gjithmonë e njëjta me energji të pashtershme.

Ende i kam në studio objektet skenike të këtij prduksioni. Ato qëndrojnë aty si dëshmitare të dedikimit tonë të përbashkët për teatrin dhe operën. Ajo ishte e papërtuar në organizimin e aktiviteteve ku përkujtoheshin e vlerësoheshin figura të skenës njujorkeze, por sot ne do kujtojmë me mirënjohje punën dhe veprën e një regjisoreje të shquar, veprën e një njeriu që ja dedikoi jetën artit skenik.

Nenci Rhodes ishte një nder që m’u dha rasti të punoja me ty, të falemnderit për çka i dhe skenës dhe artit me pasionin tënd, të falenderoj edhe në emër të artdashësve shqiptarë të cilëve u dhe eksperienca të paharrueshme me veprat që realizove në skenën e TKOB.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese