Gazeta dhe media të ndryshme në të gjithë botën garuan për trofeun e artë të gazetarisë cilësore, “Çmimin Pulitzer”.
Në kategorinë e raportimit ndërkombëtar, çmimin Pulitzer e fitoi gazeta amerikane New Yok Times. Juria e vlerësoi median për mbulimin e plotë dhe zbulues të sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, si dhe gjithashtu për raportimin e saj mbi përgjigjen e plotë dhe vdekjeprurëse të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.
Agjencia e lajmeve Reuters mori çmimin e lajmeve të fundit për fotografinë, për përcjelljen e imazheve rreth sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe përgjigjen izraelite. Agjencia mori edhe një çmim tjetër për kërkimin e saj në perandorinë e Elon Musk-ut.
Në mënyrë të veçantë u vlerësua performanca e të gjithë gazetarëve që mbulojnë Rripin e Gazës dhe situatën atje.
“Në kushte të tmerrshme, një numër i jashtëzakonshëm gazetarësh vdiqën duke u përpjekur të tregonin historitë e palestinezëve dhe punonjësve të ndihmës”,- u shpreh juria.
Platforma ProPublica fitoi në kategorinë e shërbimit publik me raportimin e saj për dhuratat dhe udhëtimet e shtrenjta të dhëna nga miliarderët për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të SHBA. Këto raporte bënë që Gjykata e Lartë e SHBA-së të miratonte një kod sjelljeje, e cila nuk lejon që të pranohen dhurata luksi në ambjentet e institucioneve të drejtësisë.
Politikani i burgosur i opozitës ruse, Vladimir Kara-Mursa, ka fituar një çmim për rubrikat e tij në Washington Post. Ai shkroi “kolonat e tij pasionante” me rrezik të madh personal nga qelia e tij e burgut. Kara-Mursa u dënua me 25 vjet burg pasi akuzoi Rusinë për krime lufte në Ukrainë gjatë një fjalimi në SHBA.
Çmimet Pulitzer për gazetarinë më të mirë të vitit u dhanë të hënën, për herë të 108-të. Në më shumë se 20 kategori, reporterët, kolumnistët, redaksitë dhe aktorët kulturorë mund të shpresojnë të marrin medaljen e artë.
Pesëmbëdhjetë çmime shpërblejnë tekste gazetareske, por edhe foto apo karikatura. Njëkohësisht jepen edhe çmime për letërsinë, muzikën dhe teatrin. Saga nënë-bijë e Jayne Anne Phillips “Night Watch”, e vendosur në Virxhinian Perëndimore gjatë Luftës Civile Amerikane, fitoi çmimin Pulitzer për letërsinë artistike.
Fituesit i zgjedh një juri me bazë në Universitetin Columbia në Nju Jork. Universiteti i famshëm është në qendër të protestave universitare që po zhvillohen prej javësh në të gjithë vendin në SHBA. Të martën e javës së kaluar, policia evakuoi një ndërtesë të pushtuar nga demonstruesit në Universitetin Kolumbia. Më shumë se njëqind demonstrues u arrestuan me këtë rast.