Hapësire reklamuese

Kulture & Art

Milano – prozhektorët bien mbi letërsinë shqipe

Shkruar nga Newsbomb
Milano – prozhektorët bien mbi letërsinë shqipe
Anna Lattanzi - FjalaFest

Më 18-19 maj 2024 do të zhvillohet në Milano festivali i parë i letërsisë bashkëkohore shipe, nën siglën FjalaFest. Qëllimi është për të dëshmuar një letërsi me të drejta të barabarta si të gjitha letërsitë që shkruhen kudo në botë e në gjithsecilën gjuhë. Po, letërsia shqipe ia vlen një FESTIVAL...

Anna Lattanzi, drejtoresha artistike e FjalaFest, rrëfen për Newsbomb detajet e këtij edicioni të parë...

KU & KUR

FjalaFest, edicioni i parë i Festivalit të Letërsisë shqipe do të zhvillohet më 18 dhe 19 maj në Milano, në mjediset e Qendrës Kulturore Slow Mill rruga Volturno 32.

CILËT JANË ORGANIZATORËT

FjalaFest organizohet nga revista Albania Letteraria, Shoqata italo-shqiptare Dora e Pajtimit ASP dhe Qendra Kulturore Slow Mill dhe është e mbështetur financiarisht nga OIM, Organizata Internacionale e Mmigracionit, nga Fondacioni Cariplo dhe OSF for Albania.

NJË NISMË KA PAS NJË QËLLIM...

Padyshim që bëhet fjalë për një nismë unike në Itali dhe ka qëllim të dyfishtë:

favorizimin dhe përhapjen e letërsisë shqipe në territorin tonë si dhe njohjen e Shqipërisë përmes zërave të shkrimtarëve dhe kulturës letrare, me sfumaturat e shumta që e karakterizojnë. Jo rastësisht emri i festivalit përmban termin FJALA. Fjala  përfaqëson thelbin e çmuar të dialogut. Protagonistët e tij për dy ditë në Milano do të jenë shkrimtarë, studiues, përkthyes, botues dhe gazetarë.

Shqipëria do të vijë përmes fluksit të fjalës së bukur që rrëfen nëpërmjet shkrimit për t’u përvetësuar dhe përhapur në mënyrë të drejtë e të shëndetshme.

Nga ky koncept lindi sllogani i FjalaFest: l’Albania tra libri e parole [Shqipëria mes librave dhe fjalëve]. Letërsia është thelbësore për një vizion të qartë të botës dhe do të jetë ky mesazhi që do të sjellim së bashku. Është e rëndësishme që letërsia shqipe me ndershmërinë në themel, të konsiderohet e karakterit universal.

MIQTË E FESTIVALIT

FjalaFest do të ketë të ftuar të shumtë e të ndryshëm që do t’i japin jetë eventit i cili do të jetë i ndarë në disa seksione, midis tryezave të rrumbullakëta dhe promovimeve të librave.

E nisim me shkimtarët: Do të ketë shkrimtarë nga Shqipëria, mes më përfaqësuesve të panoramës aktuale letrare, librat e të  cilëve janë përkthyer në italishte sikurse Ylljet Aliçka, autor i vlerësuar me çmime; Mimoza Hysa, shkrimtare, përkthyese e vlerësuar drejtuese e Qendrës së Botimeve për Diasporën; Tom Kuka, fitues i Çmimit Evropian të Letërsisë 2021; Stefan Çapaliku, shkrimtar dhe dramaturg; Rita Petro, poete dhe botuese, e kandiduar për Çmimin Evropian të Letërsisë 2024, veprat e së cilës nuk janë botuar ende në Itali por do të jetë kjo mënyra për të njohur një poete të vlerësuar.

Një sektor i rëndësishëm do të jetë letërsia italofone (shkrimtarët me origjinë shqiptare që duke jetuar në Itali kanë vendosur të shkruajnë në italisht) e cila do të përfaqësohet nga Darien Levani, mes autorëve më të vlerësuar të asaj që përcaktohet si letërsia migratore, avokat që jeton në Ferrara dhe Eltjon Bida që sjell në libra pikërisht përvojën e tij si emigrant.

Do ta përfaqësojë editorinë në FjalaFest Petrit Ymeri drejtor i Panairit të Librit në Tiranë, president dhe bashkëthemelues i Shoqatës Kombëtare të Botuesve dhe drejtues i Shtëpisë Botuese historike Dituria.

Do të vijnë në Festival miq të spikatur të botës arbëreshe sikurse Mateo Mandala, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave në Tiranë nga 2016 dhe një nga albanologët më të vlerësuar bashkëkohorë; Giuseppina Turano, gjuhëtare, pedagoge në Universitetin Ca’Foscari Venezia dhe Carlo Pellicano, President i Cim Albania, [Confederazione Italiani nel Mondo] dhe pedagog i gjuhës italiane për nivele të ndryshme pranë Shoqatës Dante Alighieri në Tiranë.

Kur flasim për rolin e letërsisë në urën kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë kemi parasysh përkthimin me gjithë bukurinë dhe problematikat që lidhen me të. Për këtë kemi mes të ftuarve dy përkthyese nga shqipja në italisht, mes më të mirave: Caterina Zuccaro e Giovanna Nanci.

Sa i përket gazetarëve të pranishëm do të jenë Christian Elia, shkrimtar italian që i ka kushtuar Shqipërisë një nga reportazhet e tij më të rëndësishëm dhe Blendi Salaj, gazetar i njohur i kulturës në Shqipëri.

Mes studiuesve kemi Anesti Naçin, që do të flasë për shkrimtarin e madh shqiptar Petro Marko.

ÇMIMI I FESTIVALIT

Sigurisht, në kontekstin e festivalit kemi edhe një çmim dhe ai do t’i kushtohet përkthimit. Gara përfshin librat shqip të përkthyer në italishte dhe të botuar në hapësirën kohore mes 2001-2003. Katërshja e nominuar sakaq është shpallur dhe ajo është:

-Valentina Notaro, përkthyese e librit “Flama” të Tom Kukës, botuar nga Besa editrice, 2022;

-Giovanna Nanci, përkthyese e librit “Diktatori në kryq” të Mira Meksit, botuar nga, Gruppo Editoriale Bonanno Srl, 2023;

-Liljana Çuka, përkthyese e librit “Pallati i ëndrrave” të Ismail Kadaresë, botuar nga La nave di Teseo, 2023;

-Caterina Zuccaro, përkthyese e librit “Kinostudioja ‘SHQIPËRIA E VJETËR” e  studiuesit Gëzim Qëndro, botuar nga Rubbettino Editore, 2022.

Çmimi është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit në Shqipëri, të cilën do ta përfaqësojë në Festival drejtoresha, Alda Bardhyli. Sigurisht që fituesi do të zgjidhet me votat e një jurie të nivelit të lartë të përbërë nga  Matteo Mandalà, kryetar dhe Giuseppina Turano e Carlo Pellicano anëtarë.

Ceremonia e dorëzimit të çmimit do të jetë të dielën më 19 maj, në mbylljen e natës së dytë të eventit.

LETËRSI DHE IMAZH

Pjesë e FjalaFest do të jetë edhe ekspozita Inner Light e piktorit të njohur shqiptar Lekë Tasi, që do të përurohet të shtunën më 18 maj. Tasi gjithashtu do të flasë për librin që ka shkruar, një lloj memoriali në të cilin tregon historinë e tij të internimit gjatë periudhës se diktaturës dhe të persekucionit që ka vuajtur familja e tij.

JEHONA E FESTIVALIT

Festivali ka pasur jehonë dhe nisma është mirëpritur si në Itali dhe Shqipëri aq sa kemi marrë mbështetje nga Rai Cultura e Rai Italia si media partner, nga Konsullata e Republikës së Shqipërisë në Milano dhe shoqatat NuoveRadici.World dhe Illyrian Brains.

Milano – prozhektorët bien mbi letërsinë shqipe

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese