Festivali treditor i Letërsisë Evropiane është hapur sot në Tiranë, duke sjellë autorë të njohur nga e gjithë Evropa për të promovuar letërsinë bashkëkohore dhe për të theksuar lidhjet kulturore ndërmjet vendeve evropiane. Ceremonia e hapjes u përshëndet nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili theksoi rëndësinë e këtij eventi për forcimin e lidhjeve kulturore dhe politike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Ambasadori Gonzato e konsideroi këtë festival si një mundësi për të promovuar mirëkuptimin e përbashkët të traditave evropiane dhe për të treguar Shqipërinë përtej stereotipeve që mund të kenë ata që nuk janë të njohur me vendin. “Kjo është mundësia për të sjellë autorët evropianë dhe për t’u treguar çfarë është sot Shqipëria”, – tha Gonzato.
Në fjalën e tij, Aleksandro Ruggera, drejtori i Institutit Italian të Kulturës, e shpjegoi ndërlidhjen e kulturave evropiane, duke nënvizuar rëndësinë e përkthimit letrar dhe ndikimin e letërsisë italiane në Shqipëri. Ai theksoi se ky festival, i cili filloi si një ide për një festival të letërsisë italiane, u shndërrua në një ngjarje evropiane që reflekton bashkëkohësinë dhe diversitetin kulturor.
Në ditën e parë të festivalit, autorja irlandeze Catherine Prasifka prezantoi veprat e saj “Asgjë nga këto nuk është serioze” dhe “Kështu e kujtoj unë atë”. Ajo ndau eksperiencën e saj si shkrimtare dhe theksoi pasionin e saj për letërsinë, duke shtuar se shpesh shkrimi ka filluar si një mundësi për të shprehur mendimet dhe ndjenjat e saj gjatë periudhës së pandemisë.
Një tjetër autor i pranishëm në këtë ngjarje ishte autori grek Christos Armando Gezos, i cili prezantoi romanin e tij "Balta", i cili është përkthyer në shqip dhe frëngjisht. Ai ndau me audiencën historinë e një burri të ri, anarkist, që kërkon të gjejë vendin e tij në botë.
Ky festival i organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe ambasadat e vendeve të tjera evropiane, do të vazhdojë deri më 14 dhjetor 2024. Gjatë këtyre ditëve, do të promovohen autorë dhe vepra letrare nga e gjithë Evropa, me një fokus të veçantë në ato të përkthyera dhe botuara në gjuhën shqipe, duke ofruar mundësi për t'u njohur me mendimet dhe rrugët e brendshme të shkrimtarëve evropianë.