Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Kulture & Art

"Lulegjembi" nga Marjana Zeneli Bulku

Shkruar nga Newsbomb

"Lulegjembi" nga Marjana Zeneli Bulku

“Thistles" (Lulegjembi) është vepra më e re e shkruar nga Cindy A. Marion, një dramë në dukje e thjeshtë por që mbart përbrenda dhe zbërthen dhjetra dilema, minidrama sociale e familjare, histori  të shkruara dhe të pashkruara, fate, disfata, personazhe.

Një shfaqje ku konsolidon bindjen se nuk janë vetëm skenat e mëdha garanci e cilësisë por tërësia e elementeve të përmbajtjes dhe lidhja organike mes tyre duke u formësuar pas çdo detaji që i lidh dhe integron ato duke arritur një shfaqje tërheqëse.

Subjekti rrjedh vrullshëm nëpërmjet lojës së mrekullueshme të një kaste aktoriale me eksperiencë në skenat e Brodueit duke filluar me Mel House (Rebecca), Rod Sweitzer (Alan), Lisa Bostnar (Laney), Gordon Stanley (Peter), Lesli Alexander (Lucinda), me skenografinë brilante të Andis Gjonit, sekuencat e ndjera muzikore të Joe Gianono, akustikën nëpërmjet të cilës publiku spostohet virtualisht në fshat aty ku cicërimat e zogjve mbretërojnë dhe ku rrallëherë ndodh që ajo të përthyhet nga hapa, trokitje porte, alarm ambulance dizenjuar mjeshtërisht nga Andy Evan Cohen.

Gjithçka ndodh në një shtëpi fshati, e trashëguar prej brezash nga një familje e cila ka lëshuar degët në qytete të tjera dhe kjo shtëpi ka mbetur si fija e fundit që i lidh duke i mbledhur në raste të rralla festash. E arreduar me stilin klasik të një kohe të shkuar, në vizionin skenografik nuk mungojnë detaje që nxisin dhe nxiten nga zhvillimet e vrullshme të dramës psikologjike që zhvillohet brenda karaktereve si dhe përreth dhe përtej tyre .

Nuk e di se si do të kuptohet kjo vepër vite më vonë kur pandemia Covid 19 të jetë harruar por një gjë është e sigurt, pandemia na kushtëzoi drejt qasjeve të caktuara në marrdhëniet njerëzore por edhe na transformoi të gjithëve në situatat e reja të kohës që jetojmë duke reflektuar në këtë epokë ku distancat fizike implementuan ftohtësi mes familjes, shoqërisë e më gjerë, njerëzimi humbi komunikimin, maskat u shndërruan në barriera, shtëpitë në kurthe izolimi nga bota por jo pak herë edhe nga vetvetja. Të gjitha këto ishin ndërthurur mjeshtërisht nga autorja Cyndy Marion e cila vjen me këtë vepër të tretë teatrale në mënyrë imponuese.

Përballë shikuesit shpaloset një dramë ku ndjehen konfliktet mes brezave dhe mentaliteteve, një dramë ku detaji ka forcë dhe peshë, një dramë që ka brenda copëza drame të sejcilit prej nesh sot kur pasuria e pamatshme e pronës tonë shpirtërore është mbytur nga rendja pas pasurisë monetare të shndërruar në qëllim kolektiv. Duket si një trill që të rrëmben sa përmes debateve mes personazheve, po aq dhe përmes dilemave të tyre të brendëshme.

Artifaktet që ruan shtëpia e blerë diku nga viti 1890 e që ruan të gjalla kutimet e tri brezave në kohët e Covid 19 -të bëhet substanciale e jetike për Peter Crou, ndërkohë që mbesa e tij Rebecca Frank e sheh shtëpinë si objekt që duhet pastruar nga vjetërsirat dhe duhet shitur. Ky konflikt i ngjan një dueli herë të heshtur e herë të zëshëm që shndërrohet në burim të emocioneve të forta, debateve, marrdhënieve sa të çuditëshme po aq edhe normale njerëzore.

E tashmja dhe e ardhmja në “Thistles” perceptohet nëpërmjet të shkuarës dhe që të tria ke frikë ti cekësh porsi tre “lulegjembat” që zbukurojnë dhe figurativisht mbrojnë shtëpinë edhe nga vetë anëtarët e familjes e ku luhet drama e brendshme e shumë prej tyre. Pjesa "Lulegjembi" (Thistles) të fut thellë në perceptim por edhe përjetim. Sipas kulturës kelte lulegjembi është simbol i përkushtimit, guximit, forcës. Detajet e regjisores Dev Bondarin ishin të plota dhe trajtimi i saj ishte shterrues, duke mos i lënë asgjë rastësisë ajo me kujdes kishte punuar që të transmetonte idetë e dramës. Figura e Alan (luajtur mjeshtërisht nga Rod Sweitzer) krijonte në momente të caktuara thyerje plot humor që shkonin bukur me karakterin e personazhit, një kontrapunkt i Peter-it të mishëruar nga aktori me përvojë në skenat e Nju Jrokut, Gordon Stanley, i cili me lojën e tij aktoriale diti të thithte vëmendjen e shikuesit. Ndërkohë që Rebeka e interpretuar nga Mel House ishte një karakter i plotë që mbante peshën e dramës.

 Mbyllja e dramës ishte vërtetë befasuese me rrëzimin e tavanit të asaj shtëpie që aq ishte dashur dhe urryer duke shkaktuar vdekjen tragjike të Piterit i cili e kishte ndoshta arsyen e vet të ekzistencës, e kishte rrënjë, e kishte paqe, e konsideronte si të vetmen nyje jete që e lidhte me familjen e në fund të dramës tragjikisht e lidhi me vdekjen.

 Megjithëse në një teatër të vogël dhe me mundësi teknike të kufizuara efekti skenografik në momentin kulmor të dramës ishte realizuar shumë bukur nga skenografi, shoqëruar edhe me njw zërim (audio) profesional. Nuk mund të le pa përmendur këtu edhe mjeshtrin e ndriçimit Brian Aldous i cili me mjeshtëri jepte atmosferën e dramës. 

Megjithëse kjo dramë interesante e mbylli ciklin e saj të shfaqjeve në skenën njujorkeze, jam e sigurt që do gjejë skena të tjera ku do shfaqet në të ardhmen dhe ku do nxisë refleksion të thellë tek shikuesit që do ndjekë dhe përjetojë situatat plot nuanca të mendimit pothuaj po aq efemer sa edhe ngjyrat e "Thistles" (Lulegjembit).

Fotot: J.R.Hoffman

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese

op
ed