“Vendimi më i guximshëm që mund të marrësh çdo ditë është të jesh në humor të mirë”, thoshte Hygoi. Dhe me të vërtetë është një vendim i guximshëm në realitetin e vrazhdë të përditësisë. Akoma më e guximshme është ta shkruash letërsinë e humorit, një ndër gjinitë më të vështira edhe pse në pamje të parë tjetër përshtypje të krijon. Padyshim, nuk është i rastit boshllëku i ndjeshëm i kësaj kategorie letrare, në raftet e letërsisë shqipe bashkëkohore.
Më qëllimin për të mbushur këtë boshllëk, Flora Nikolla, nën ombrellën e “ALBANIAN EXCELLENCE”, shpalli mbrëmjen e datës 7 maj 2025, hapjen e edicionit të tretë të Konkursit Mbarëkombëtar të Letërsisë Humoristiko-Satirike “Niko Nikolla”, një veprimtari paralele kjo me Bienalen Ndërkombëtare të Karikaturës me të njëjtin emër.
Të pranishëm në ceremoninë e shpalljes së edicionit të tretë të konkursit letrar ishin figura të tilla që e identifikojnë humorin shqiptar prej vitesh, sikurse karikaturisti dhe skenaristi i mirënjohur Bujar Kapexhiu, fabulisti Ferid Lamaj, një tjetër karikaturist me shumë çmime ndërkombëtare dhe disa herë fitues në Bienalet e Karikaturës “Niko Nikolla”, Arben Meksi, regjisori Pluton Vasi, skenaristi dhe aktori i mirënjohur i humorit Agron Llakaj, producentja Vjollca Dedej dhe mjaft emra të tjerë të rëndësishëm, veçanërisht bashkëpunëtorë të dikurshëm të revistës prestigjioze të humorit shqiptar, “Hosteni”.
Katër ishin kategoritë që u shpallën të hapura për konkurrim, në të cilat pjesëmarrësit do të vihen në garë për të fituar vendin e parë:
-Proza e humorit (roman, novelë ose vëllim me tregime);
-Poezia;
-Aforizmat, anekdotat dhe fabulat;
-Komedia e shkurtër ose skenari.
Juria që do të vlerësojë fituesit përbëhet nga:
Fatmir Toçi, botues;
Arta Marku, gazetare;
Agron Llakaj, aktor.
Konkursi është i hapur për dorëshkrimet në kategoritë e sipërpërmendura me kushtin që veprat të mos jenë të botuara më parë. Secili pretendent për në konkurs mund të marrë pjesë me dy krijime për secilën kategori.
● RETROSPEKTIVË
Historia e konkursit Mbarëkombëtar të Letërsisë Humoristiko-Satirike “Niko Nikolla”, është një rrugëtim deri më tash 5-vjeçar, i organizuar në mënyrë të përdyvitshme. Lista e pjesëmarrësve në dy edicionet e para, ka qenë tejet e gjatë dhe gjithëpërfshirëse. Shqiptarë që jetojnë e punojnë në të katër anët e botës kanë paraqitur dorëshkrimet e tyre, ndërsa emrave të njohur të humorit ndër vite u janë bashkuar emra të rinj, me gjasë e ardhmja e letërsisë shqipe të humorit.
Padyshim që qëllimi është për të lenë një shenjë, për të shtruar një rrugë e cila, hë për hë, është plot me gropa dhe me gurë që nëse nuk e pengojnë, e vështirësojnë ecjen e të pasionuarve ndaj kësaj kategorie letrare. Pra është një këmbëngulje për ta bërë të pranishme në jetën tonë edhe humorin përmes letërsisë.
● RRUGËTIM & EMRA
Si pjesëmarrës në edicione të mëparshme të Konkursit Mbarëkombëtar të Letërsisë Humoristiko-Satirike “Niko Nikolla” mund tw pwrmendim:
Edi Goga; Viron Graçi; Ilir Kadia; Lefter Çipa; Aleksandër Çipa; Fatmir Musai; Bashkim Hoxha; Stefan Çapaliku; Durim Taçi; Ilinden Spase; Dorianin Agalliu; Farida Zmijani; Jani Duri; Agron Goga; Olsi Çala; , Elma Dorezi; Agim Doçi; Flavio Duka; Ymer Nurka; Zana Gramshi; Sevdail Hyseni; Musa I.Ahmetaj; Vangjush Saro; Arqile Garo; Arif Mulliqi; Romelda Bozhani; Rashel Solomon; Mario Caliva; Skënder Demolli; Dashnor Kokonozi; Irena Luto; Imri Musliu; Hysen Kobellari; Kujtim Lapa; Ismail Lile; Thoma Goga; Ndue Ruci etj.
● Simboli NIKO NIKOLLA
Niko Nikolla, që i jep emrin këtij konkursi, është një ndër figurat më të zëshme të satirës shqiptare dhe kryeredaktori më jetëgjatë i të famshmes “Hosteni” ende sot një kujtim i jashtëzakonshëm dhe sidomos i pazëvendësuar.
Të shumtë janë artikujt, reportazhet, fejtonet që mbanë firmën e Niko Nikollës si dhe librat mes të cilëve: "Pushtimi i Amerikës", "Një angleze në rrugën e Dibrës", "Furtuna e janarit", "Lamtumirë Vlorë", "Njeriu pa emër", "Zhyl Verni në katror", "Mjaltë dhe Gjak", "Kronika nga Fronti i Dytë", "Vdekja e varrmihësit", "Një lumë midis dy shenjtorëve", "Dallëndyshet e dimrit", "Koloneli me një sy” etj.
I vlerësuar disa herë me çmime dhe tituj në karrierën e tij profesionale, tashmë NIKO NIKOLLA është shndërruar në një simbol që vulos çmimet bashkëkohore në karikaturë dhe letërsinë e humorit. I pari një çmim ndërkombëtar, për hir të gjuhës universale që mbart vetë imazhi, dhe i dyti mbarëkombëtar, si përbashkues i shqiptarëve anembanë botës.