Ai është i vetmi gazetar shqiptar që ka raportuar prej katër vitesh nga Bejruti. Është i vetmi gazetar shqiptar që ka intervistuar udhëheqësin palestinez Jaser Arafat, poetin e madh Zhak Prever, shkrimtarin kroat Mirosllav Kërllezha, mbretin e Jordanisë Hussein, por edhe humanisten Nënë Tereza e shkrimtarin e dashur Shqiptar Ismail Kadare.
Në Kosovë, Shqipërinë e diktaturës e njihnin nëpërmjet raportimeve të Nehat Islamit. Libri i gazetarit Xheladin Rexhepi, “Jeta me laps” për gazetarin Islami u promovua në Tiranë, nën kujdesin e veçantë të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
“Eshtë një botim me vlera të rralla, nga ata që ti njeh jo vetëm jetën dhe përpjekjet e gazetarit, por shumë të pathëna të punës së tij, që janë sot një udhërrëfyes edhe për gazetarët e rinj” - tha kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Aleksandër Çipa gjatë promovimit të librit.
“Eshtë gazetari që u kthye nga Bejruti me një veturë Golf1 të shpuar prej plumbash, mbetur pa asnjë lek në xhep. Eshtë e kundërta e kohës sot kur njerëzit kthehen nga lufta të pasur materialisht” thotë gazetari Xheladin Rexhepi që është edhe autor i librit.
Autori thotë se e ka pasur Idol Nehat Islamin, dhe për të realizuar librin ka zbardhur materialet e gjetura, më shumë se 15 orë xhirime. “Vendosa që ky material të bëhet libër” tha gazetari.
Nehat Islami u lind më 1943 në Ferizaj. Punën e filloi më 1966 si bursist i gazetës “Rilindja”. Një vit me vonë kaloi në Redaksinë Televizive të Kosovës, ku punoi deri më 1974, kur gazeta “Rilindja” e emëroi korrespodent të përhershëm të gazetës në Lindjen e Mesme me seli në Bejrut, ku edhe qëndroi deri në vitin 1979.
Është njohës i shquar i rrjedhave politike e historike të asaj pjese të botës. Pas Bejrutit u kthye në gazetën “Rilindja” në postin e redaktorit të politikës së jashtme. Pas mbylljes së “Rilindjes” nga pushteti okupues i Millosheviqit, vazhdoi punën në gazetën “Bujku”.
Pas vitit 1999 ka qenë drejtor i Institutit për monitorim të Luftës dhe Paqes (IËPR) për tre vjet, kurse në vitin 2005 u zgjodh drejtor i Zyrës së Këshillit të Mediave te Shkruara të Kosovës. Nehat Islami është autor i mbi 200 reportazheve dhe filmave dokumentarë televiziv dhe autor i mijëra reportazheve e shkrimeve tjera gazetareske nga Kosova dhe bota.
Në dhjetor të 2013-s “KOHA” botoi librin e tij të parë “Hotel Bejruti”, një përmbledhje e raportimeve, analizave dhe shkrimeve nga Bejruti gjatë kohës kur ishte korrespondent i Rilindjes në Lindjen e Mesme. Libri i tij i dytë “Një adresë në Bukuresht” u botua në vitin 2016 dhe është një përmbledhje impresive e artikujve dhe intervistave të zgjedhura brenda periudhës 40 vjeçare.