
Në Bibliotekën Kombëtare, u hap këtë të mërkurë ekspozita "In Memoriam 1901-1975", në kuadër të 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe intelektualit të shquar, Ernest Koliqi.
Ekspozita shpalosi botime, përkthime, ese dhe publicistikë të tij, duke risjellë në vëmendje krijimtarinë e pasur artistike dhe shkrimet më të njohura të Koliqit.
Koliqi ishte një figurë kyçe e letërsisë dhe kulturës shqipe, i njohur sidomos për veprat e tij të shquara si "Hija e maleve", "Tregtarë flamujsh" dhe "Pasqyrat e narcizit". Ai ka pasur gjithashtu një rol të rëndësishëm në fushën e publicistikës dhe përkthimit. Ekspozita ofroi gjithashtu përzgjedhje poetike dhe shkrime nga revista periodike "Shêjzat", ku Koliqi ka qenë një nga drejtuesit kryesorë.
Ernest Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903 dhe ka pasur një karrierë të spikatur si shkrimtar dhe intelektual. Pas pushtimit italian, ai shërbeu si ministër i Arsimit dhe më vonë si kryetar i Këshillit Koorporativ Fashist, çka u kritikua, por kjo nuk e pengoi që të shkruante vepra të rëndësishme që e vendosën atë në piedestal të letërsisë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Koliqi vazhdoi punën në Romë, ku drejtoi revistën "Shejzat" dhe katedrën e Gjuhës Shqipe. Ai është i njohur edhe për përkthimin e "Lahutës së Malcis" në italisht, si dhe për përkthime të tjera që bënin të njohur letërsinë shqipe jashtë vendit.
Ekspozita është e hapur për publikun në katin I të Bibliotekës Kombëtare dhe do të qëndrojë e hapur për një periudhë të caktuar.