Viti 2024 solli një gamë të gjerë ngjarjesh kulturore që lanë gjurmë të thella në historinë dhe kulturën shqiptare. Ja 10 momentet më të rëndësishme:
1. “Shkodra Elektronike” fiton Fest 63 dhe përfaqëson Shqipërinë në Eurovision 2025
Në Festivalin e 63-të të Këngës, “Shkodra Elektronike” triumfoi me këngën “Zjerm”, duke fituar 143 pikë nga juria dhe publiku. Kënga do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025, duke sjellë një stil modern të muzikës shqiptare në skenën ndërkombëtare.
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit në Festivalin e Këngës pati një fitues, ku publiku dhe juria bashkuan pikët dhe nxorën “Shkodra Elektronike” fituese.
Ndërkohë, “Karnaval” i Elvana Gjatës arriti që të siguronte vendin e dytë me 135 pikë, ndërsa Alis siguroi vendin e tretë me këngën "Mjegull", me 59 pikë.
Kënga “Zjerm” u prit me duartrokitje në Pallatin e Kongreseve, por edhe në rrjetet sociale ku të shumtë kanë qenë ata qytetarë të cilët këtë vit e kanë cilësuar fituesin e Fest 63 mëse të merituar!
2. Vdekja e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare
Më 1 korrik, Shqipëria humbi shkrimtarin e madh Ismail Kadare, në moshën 88-vjeçare. Kadare la pas një trashëgimi të pasur letrare, me vepra të përkthyera në mbi 50 gjuhë.
Ismail Kadare lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.
Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 50 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.
Përgjatë jetës së tij ai u vlerësua dhe nderua me dhjetëra çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
3. “K’cimi i Tropojës” në UNESCO
“K’cimi i Tropojës” u përfshi zyrtarisht në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s. Ky vallëzim unik tradicional u njoh për ritmin dhe simbolikën që përçon kulturën shqiptare, duke u shoqëruar me çifteli, tupan dhe veshje karakteristike.
“K’cimi i Tropojës” është një vallëzim festiv që praktikohet gjatë gjithë vitit, dhe veçanërisht gjatë ceremonive festive tradicionale si, dasma, fejesa, ditëlindje, ceremoni inicimi, festa fshati dhe raste të tjera shoqërore, përfshirë ato që janë më pak zyrtare, dhe shpesh mjaft spontane.
Vallja ka lëvizje ritmike dhe shoqërohet me tupan, çifteli dhe fyell, ndërsa valltarët mbajnë veshje tradicionale dhe shami të kuqe ose të verdhë.
Dosja për “K’cimin e Tropojës” u dorëzua në UNESCO tre vjet më parë bashkë me 'Transhumancën" dhe "Xhubletën", të cilat gjithashtu janë marrë nën mbrojtje nga UNESCO.
4. Panairi i 27-të i Librit në Tiranë
Panairi i Librit “Tirana 2024” u zhvillua nga data 13 deri më 17 nëntor, duke tërhequr mbi 90 botues nga Shqipëria dhe rajoni. Autori Enkel Demi u nderua si shkrimtari më i mirë për vitin 2024, me romanin “I rënë nga qielli”.
Gjatë këtyre ditëve publiku vizitoi stendat e shtëpive botuese dhe iu dha mundësia të takoheshin me shkrimtarët e përkthyesit dhe të blinin botime me çmim të reduktuar.
5. Nis ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar
Pasi u hodhën themelet, filloi ndërtimi i Teatrit të Ri Kombëtar, një projekt modern nga arkitekti danez Bjarke Ingels. Teatri do të ketë salla multifunksionale dhe hapësira për aktivitete artistike dhe kurse, duke ofruar një qendër të re kulturore në zemër të Tiranës.
Teatri i Ri do të ketë një skenë prej 630 metra katrorë dhe dy salla Black Box prej 200 metra katror secila. Ndërsa, për artistët do të jetë në dispozicion edhe një hapësirë prej 200 metra katrorë, që do përdoret si sallë ndërrimi, një tjetër sallë provash prej 200 metrash katrorë, tualete dhe dushe, si dhe një dhomë e gjelbërt.
Krahas kësaj hapësire, në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike në projekt po ashtu parashikohet edhe një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike depo dekori, sallë teknikësh, etj.
Përveç sallave për shfaqje, një pjesë e këtij projekti lë hapësirë edhe për disa salla kursesh, për të apasionuarit.
6. Restaurimi i Muzeut Arkeologjik të Durrësit
Në kuadër të projektit EU4Culture, filloi restaurimi i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019. Ky muze do të shndërrohet në një qendër moderne edukative, duke përdorur teknologji të lartë dhe realitet virtual për të sjellë historinë e lashtë më afër vizitorëve.
Ai është muzeu arkeologjik më i madh në vend, me një koleksion të gjerë të përbërë nga më shumë se 3000 artefakte të zbuluara në zonën e lashtë të Dyrrahut, gjë që tregon për zhvillimin e qytetit të Durrësit gjatë Antikitetit të Vonë dhe në Mesjetë.
7. Rritja e buxhetit për kulturën
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit rriti me 20% fondet për kulturën, duke arritur në 178 milionë euro. Prioritetet përfshinë artin, trashëgiminë kulturore dhe ndërtimin e një baze talentesh për të rinjtë.
Në buxhet është parashikuar që një fokus i veçantë t’i jepet edhe ndërtimit të një baze talentesh, duke investuar dhe te fëmijët dhe të rinjtë, në zgjerimin e rrjetit të industrive kulturore dhe krijuese, për të rritur vlerën socio-ekonomike.
8. Humbja e ikonës së baletit Zoica Haxho
Më 1 dhjetor është ndarë nga jeta balerina e shquar Zoica Haxho, një nga figurat më të shquara të baletit shqiptar. E lindur më 28 mars 1933, ajo ishte një pionierë e këtij arti, duke kontribuar në ngritjen e baletit shqiptar në nivele të larta artistike dhe njerëzore.
Që në moshë të vogël, Zoica u shqua për pasionin e saj të thellë për kërcimin. Me shumë përkushtim dhe dedikim, ajo ndoqi ëndrrën e saj duke u formuar në Bashkimin Sovjetik në vitet 1950. Pas kthimit në atdhe, ajo u bë një emër i njohur në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, duke mbajtur titullin e prima balerinës për 33 vjet. Debutimi i saj në skenë, në rolin e Lizës në shfaqjen “Kujdesi i kotë” (1957), shënoi fillimin e një karriere të jashtëzakonshme.
Përmes një serie të mrekullueshme rolesh, Zoica krijoi personazhe të paharrueshme si Lola, Fadeta, Hajria dhe Delina, duke i dhënë jetë çdo karakteri me finesë dhe mjeshtri të rrallë. 20 premierat që ajo ka realizuar janë dëshmi e klasit dhe profesionalizmit të saj të lartë, ndërsa brezat e artistëve që ajo ka formuar si pedagoge vazhdojnë të nderojnë trashëgiminë e saj.
Për kontributin e saj të jashtëzakonshëm, Zoica ka marrë çmime dhe tituj të lartë, si “Heroinë e Punës” dhe Çmimet e Republikës, duke mbetur një simbol i vlerave të larta artistike dhe shpirtërore. Ajo do të mbetet gjithmonë një burim frymëzimi për ata që kanë pasur nderin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.
Sot, skena hesht për t'i bërë nderime balerinës që dha kaq shumë për artin. Kujtimi i Zoicës do të mbetet i gjallë përherë, në çdo hap baleti, në çdo duartrokitje dhe në çdo zemër që ka ndjerë magjinë e performancave të saj. Pusho në paqe, Zoica Haxho. Trashëgimia jote artistike do të shkëlqejë përjetësisht.
9. Ndarja nga jeta e poetit të njohur shqiptar, Agim Doçi
Poeti i njohur Agim Doçi ka ndërruar jetë më 24 qershor pas goditjes nga hemoragjia cerebrale të tru. Agim Doçi është autor i mijëra teksteve dhe këngëve shqiptare.
Poeti pësoi infarkt në tru dhe duke qenë se nuk ishte hera e parë, gjendja shëndetësore e tij ishte shumë e rëndë. Ai u shtrua në spital mëngjesin e së premtes në Qendrën Stroke, pasi shfaqi çrregullim të të folurit dhe pamundësi në ruajtjen e ekuilibrit. Agim Doçi u referua nga Spitali i Pogradecit ku kishte ndodhur goditja e më pas u transportua menjëherë drejt QSUT me autoambulancë.
Kush është Agim Doçi?
Agim Doç është fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë perfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion. I cilësuar si një poet kollos dhe një ndër mendjet më të mprehta shqiptare, Agim Doçi ka lindur më 9 Maj 1948. Ai është diplomuar për Inxhinieri, por kishte një pasion të rrallë për letërsinë. Agim Doçi ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë etj.
Në vitet e fundit të '80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit "Misto Mame" si kryeinxhinier për energjinë. Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabriken e letër-kartonit. Përfshihet në lëvizjet e dhjetorit 1990.
Agim Doçi ka krijuar më shumë se 3.000 tekste të këngëve që janë kënduar nëpër festivalet shqiptare. Ai ka botuar disa libra me poezi si 'Hajde dru me pre', 'Rrëzuar mbi vetminë', 'Rituali i kryqëzimit'.Për kontributin e tij të pashoq, Presidenti i ndjerë Bujar Nishani i dha titullin “Mjeshtër i Madh”.
10. Ndarja nga jeta e poetit shqiptar Jorgo Papingji
Poeti i njohur shqiptar Jorgo Papingji ka ndërruar jetë më 21 mars në moshën 81 vjeçare. Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të madh të vargut të këngës shqiptare.
Ai ishte një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare popullore, ku me anë të teksteve të shumta arriti të krijojë një profil krejt të veçantë poetik e artistik. Fillimet në botën e artit dhe muzikës i datojnë që në moshë të vogël, teksa që në fillore nisi të merrej me krijimin e poezive dhe shkrimeve të ndyshime duke kontribuar dhe në dy gazetat e shkollës. Për herë të parë botoi në gazetën “Zëri i rinisë”, një cikël me poezi dhe prej asaj kohë nuk pati më ndarje me poezinë.
Bashkëpunimi i parë i Jorgos si autor teksti ka qenë me kompozitorin e shquar Aleksandër Lala në këngën që bëri aq shumë bujë në atë kohë “A ta fshij apo ta gris”; ishte një këngë për fëmijë, që aso kohe ngjalli shumë reagime pozitive dhe emocione estetike.
Jorgo Papingji mbaroi studimet e larta për shkenca ekzakte (matematikë-fizikë) profesion të cilin e ushtroi paralelisht me poezinë. Ai ka shkruar 5 këngë fituese në "Festivali i Këngës", njëri prej të cilave ka marrë pjesë edhe në Festivalin Evropian i Këngës në vitin 2014, është emëruar "Mjeshtri i Madh" si dhe ka shkruar mbi 4000 këngë.
Këngë që morën pjesë në Festivalin i Këngës në RTSH
1980 – "Kur jemi bashkë të dy" (i kryer nga Luan Zhegu)
1990 – "Askush s'do ta besojë" (i kryer nga Anita Bitri, fitues)
1991 – "Fat dhë jetë" (i kryer nga Anita Bitri)
1993 – "Kur e humba një dashuri" (i kryer nga Manjola Nallbani, fitues)
1993 – "Rri me mua" (i kryer nga Mira Konçi)
1994 – "I thuaj jo" (i kryer nga Ardit Gjebrea)
1995 – "E doni dashurinë" (i kryer nga Luan Zhegu dhe Ledina Çelo)
1999 – "S'jam tribu" (i kryer nga Aurela Gaçe, fitues)
1999 – "Apokalipsi" (i kryer nga Irma dhe Eranda Libohova)
2001 – "Jetoj" (i kryer nga Aurela Gaçe, fitues)
2004 – "Hëna dhe yjët dashurojnë" (i kryer nga Luiz Ejlli)
2005 – "E dua këngën" (i kryer nga Evis Mula)
2007 – "Po lind një yll" (i kryer nga Rosela Gjylbegu)
2009 – "Në pasqyrë" (i kryer nga Anjeza Shahini)
2010 – "Mirëmbrëma ëngjëlli im" (i kryer nga Dorina Garuci)
2011 – "Këngën time merr vehtë" (i kryer nga Bashkim Alibali)
2011 – "Më ler të të dua" (i kryer nga Mariza Ikonomi)
2012 – "Kush ta dha këtë emër" (i kryer nga Hersiana Matmuja)
2013 – "Zemërimi i një natë" (i kryer nga Hersiana Matmuja, fitues)
2014 – "Vetëm të ti bësoj" (i kryer nga Klajdi Musabelliu)
Këngë që morën pjesë në festivalin Kënga Magjike
1999 – "Vetëm një fjalë" (i kryer nga Elsa Lila, fitues)
Këngë që morën pjesë në Festivalin Evropian i Këngës
2014 – "One Night's Anger" (i kryer nga Hersiana Matmuja)
Këngë që morën pjesë në Junior Eurovision Song Contest
2012 – "Kam një këngë vetëm për ju" (i kryer nga Igzidora Gjeta)