Në Panairin e Librit, vendi ku për vite me radhë Ismail Kadare priste lexuesit e tij, këtë herë mungon gjeniu i letrave shqipe. Në këtë hapësirë, bashkëshortja e tij, Helena Kadare, reflekton mbi ndjesinë e boshllëkut që ka lënë pas ndarja nga jeta e tij dhe mënyrën se si shkrimi i ka ndihmuar ta përballojë këtë humbje.
“Është një realitet që ende nuk e kam pranuar plotësisht. Përherë më duket sikur Ismaili do të shfaqet në çdo moment, sikur do të kthehet në shtëpi. As në studion e tij nuk kam arritur të hyj. Shkrimi është ajo që më lidh me të dhe më jep forcë për të ecur përpara,” shprehet ajo në një intervistë për Top Channel.
Në këtë panair, Helena prezanton një libër të ri, i cili përmban dy tregime që i ka përfunduar së fundmi. Ajo ndan kujtime mbi fillimet e saj si shkrimtare dhe mbi momentin kur tregimi i parë i saj tërhoqi vëmendjen e Kadarese.
“Kur tregimi im u botua në ‘Zërin e Rinisë’, Ismaili, që ndodhej në Moskë për studime, më dërgoi një mesazh të shkurtër: ‘Mos u trembni, shkruani’. Ky moment më dha kurajë të vazhdoja. Më pas, kur u takuam në Tiranë, ishte një ngjarje që ndryshoi jetën time,” kujton ajo.
Tregimet e saj të reja, Krimineli nga Kadizi dhe Gruaja e Lirë, janë një reflektim i viteve të saj si shkrimtare dhe grua e ndjeshme ndaj kujtimeve dhe përjetimeve të jetës.
“Teksa afrohej panairi, rilexova disa prej shënimeve të mia të vjetra dhe gjeta dy tema që ishin shumë të dashura për mua. Ishte një proces krijues që më mbajti të angazhuar dhe më dha forcë,” shtoi ajo.
Helena Kadare shpreh dëshirën për të vazhduar të shkruajë, duke u përpjekur të sjellë më shumë krijime për lexuesit.