Për të gjithë artëdashësit durrsak, premiera më e re e Teatrit Shëtitës "Çajupi" do të shfaqet në datat 5 dhe 6 Qershor në Teatrin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, në orën 20.00. Pas një starti të suksesshëm në Vlorë, shfaqja tashmë do të ndalet në Durrës.
Në fillim të shfaqjes "Gruaja e burrit tim", dy gra, secila pa dijeninë e tjetrës, telefonojnë rajonet përkatëse të policisë lokale për të raportuar zhdukjen e burrit të tyre. Në fakt, ai është shtruar në spital pas një sulmi që pësoi teksa mbronte një zonjë të moshuar nga dy banditë.
Në konfuzion, taksisti i ka dhënë pa dashje policisë të dyja adresat ku ai jeton dhe pak më pas një zyrtar i rendit e shoqëron përsëri në shtëpinë ku jeton me gruan e tij Meri, ku shfaqet me një fashë të dukshme në kokë.
Nga ai moment fillon loja e keqkuptimeve dhe seria e gënjeshtrave që taksisti sajon për të mbrojtur sekretin e bigamisë së tij.
"Gruaja e burrit tim" është diçka tjetër. Falë aktorëve të mrekullueshëm të zgjedhur me kujdes, shfaqja ruan qeshjet e shkaktuara nga tensionet dhe ndërlikimet e situatave duke i transformuar ato me ironi të lezetshme dhe delikate, falë vëmendjes së jashtëzakonshme ndaj detajeve.