
Ilir Ikonomi është vlerësuar me Çmimin "Lumo Skëndo" për veprën më të mirë publicistike e eseistike për vitin 2023, me librin biografik “Fan Noli-Apostulli”. Ajo është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës.
Me një punë kërkimore 10-vjeçare, Ikonomi sjell biografinë e një prej figurave më të shquara të shek. XX, të ndarë në tre vëllime. Autori rrëfeu disa nga episodet e takimeve mes Fan Nolit dhe Mit’hat Frashërit, dy figura të shquara të kombit.
Juria e kryesuar nga Arlinda Dudaj dhe me anëtarë Uran Butka, Belina Budini, Bledar Kurti dhe Ardit Gjinali e vlerësuan veprën publicistike të Ilir Ikonomit me motivacionin: “Për trajtesën me objektivitet dhe profesionalizëm të jetës dhe veprës së personalitetit të shquar të kombit Fan S. Noli, duke dhënë gjithashtu një mesazh të rëndësishëm sesi studimi i historisë dhe kulturës së të shkuarës, na ndihmon për të kuptuar të tashmen e të ardhmen”.
Ben Blushi dorëzoi trofeun e Çmimit Kombëtar “Lumo Skëndo” për vitin 2023 dhe tha se Shqipëria ka pasur dhe ka historianë, por historian, që ta shkruajë më bukur historinë se Ilir Ikonomi nuk ka. Blushi i cili e fitoi këtë çmim më 2022-shin, vlerësoi autorin e veprës “Fan Noli-Apostulli”, duke shtuar: “Nëse ne të tjerët shkruajmë, Ilir Ikonomi studion”.

I themeluar më herët nga Biblioteka Kombëtare, prej tre vitesh Çmimi “Lumo Skëndo” organizohet dhe akordohet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
Në botimin e vëllimit të parë, Ilir Ikonomi zbuloi se i ishin dashur dhjetë vite punë kërkimore në mbledhjen e materialeve arkivore, dokumente, letërkëmbim, artikuj nga shtypi i kohës, duke shfrytëzuar Arkivin Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Merilend, Bibliotekën e Kongresit në Uashington, arkivat e Ministrisë së Jashtme të Austrisë e të tjera.
Një punë, e cila nuk mund të përmblidhej në një vëllim të vetëm, ndaj autori vendosi ta sjellë figurën e Fan Nolit të ndarë në tri etapa të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së tij.

Shtëpia botuese UET PRESS u përfaqësua denjësisht në këtë edicion me emra si Ilir Ikonomi, Natasha Lako, Blendi Fevziu, Migjen Kelmendi e Namir Lapardhaja, ndërsa për vetë natyrën e një shtëpie botuese universitare i kushton vëmendje të veçantë botimeve publicistike e atyre studimore.
Të gjithë autorët janë përzgjedhur në dhjetëshen gjysmëfinaliste, ndërsa tre prej tyre si: Lako, Fevziu dhe Ikonomi, ishin pretendentë në pesëshen finaliste.