Fjalori më i madh i gjuhës shqipe, që do të mbajë rreth 120 mijë fjalë do të jetë gati për t’u publikuar në muajin Nëntor. Ky fjalor fillimisht do të vijë në formatin virtual nga interneti, ndërsa në vitin 2025 do të vijohet edhe me procesin e printimit.
Ky fjalor do të pasurohet me 70 mijë fjalë të reja. Aty do të ketë fjalë që nuk ishin të përfshira në fjalorin e botuar në vitin 1980.
Sakaq, Prof. Dr. Shezai Rrokaj shprehet se: Ky fjalor është dorëzuar. Do të ketë nevojë për modifikime të vogla teknike. Ndërkohë do të jetë i hapur fillimisht në qarqet akademike për të marrë mendime, korrigjime ose ide. Me një sasi faqesh të tillë normalisht për përdorim mund të shkojë deri në tri vëllime! Qëllimi i këtij fjalori është që të ngrihet mbi fjalorët ekzistues, që janë të Akademisë së Shkencave – kam parasysh fjalorët e viteve 1980, 1984, 2002, 2006, 2020 – dhe të ketë një areal shumë të gjerë, që i përgjigjet në mënyrë të drejtë hapjes së hapësirës shqiptare brenda trojeve etnike.”
Fjalori i ri i gjuhës shqipe është një punë në bashkëpunim mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademisë së Shkencave të Kosovës si edhe gjuhëtarëve nga Maqedonia e Veriut.