Filmi dokumentar “Zojë” me skenariste, studiuesen dhe gazetaren Luljeta Progni dhe regjisor Pandeli Çeço ka fituar çmimin për Kinematografinë më të Mirë në edicionin VII të AEI Film Festival.
“Zojë” arriti të spikasë dhe të vlerësohet në këtë festival i cili u zhvillua në datat 26 tetor – 3 nëntor 2024 në Nikosia, Qipro.
Filmi u vlerësua nga juria me motivacionin: Kinematografia e filmit “Zojë” krijon një atmosferë ideale, thelbësore për zhvillimin e filmit, duke sjellë gjithashtu një ndikim emocional përmes lëvizjes dhe ritmit të saj. Imazhet e fuqishme tejkalojnë ekranin, duke ndriçuar thelbin shpirtëror të natyrës njerëzore.
Gjithashtu ky dokumentar është përzgjedhur si konkurrues dhe do të shfaqet në edicionin XIV në ASTI International Film Festival 2024, që do të mbahet nga 27 nëntori deri më 1 dhjetor 2024, në Teatrin Alfieri, Asti, Itali.
Filmi “Zojë” është historia e nenës së gazetares Luljeta Progni, Zojë Progni e rrëfyer në vetë të parë. Një rrëfim për fatin e dhimbshëm të gruas në diktaturë, por aq edhe universale mbi fatet e shumë grave, nënave dhe vajzave, që janë përballur me dinjitet dhe i kanë sfiduar me forcë e vetëmohim, regjimet totalitare, në të gjitha kohërat.
Skenaristja e këtij filmi dokumentar, Luljeta Progni më herët tha se nuk ishte aspak e lehtë për të që të trajtonte këtë temë dhe të realizonte këtë vepër, ku personazhi kyç ishte vetë nëna e saj.
"Zoja, fliste rrallë për vuajtjet e saj. Gjatë viteve të fundit u përpoqa disa herë ta intervistoja, por nuk munda të kem një intervistë shteruese. Shpesh ajo përlotej që pas pyetjes së parë dhe nuk fliste më. Dhe ndonjëherë kur fillonte të tregonte, mikrofoni nuk ishte aty. Por ashtu siç i di unë ato vuajtje, disa prej të cilave edhe i kam përjetuar, mendoj se duhet t’i dinë edhe të tjerët.
Kam mësuar prej shumë historive të tjera, se Zoja nuk ishte e vetme. Shumë gra të tjera kanë vuajtur dhe janë përballur me persekutimin e diktaturës komuniste, kanë vajtuar fëmijët e tyre, kanë mbajtur gjallë shpirtin e bashkëshortëve dhe djemve nëpër burgje dhe e kanë mbrojtur familjen me shumë sakrifica", ka thënë Progni më herët.