
Në zemër të Seferanit, aty ku dikur qëndronin depot ushtarake, tani pulson arti. Galeria “Dy Botët”, e konceptuar dhe kuruar nga artisti i njohur shqiptar Helidon Haliti, mirëpret ekspozitën “Mes dy botëve”.
Një ekspozitë që sjell në vëmendje portretet e 63 personaliteteve të artit, kulturës dhe jetës publike shqiptare, të cilët kanë ndarë rrëfimet e tyre në emisionin “Mes dy botëve” në RTSH, rrëfime që tentojnë të sjellin në kujtesën kolektive të jetuarit e të krijuarit para e pas viteve ‘90.
Secili portret është më shumë se një imazh, është një rrëfim i ngjizur me kujtime, emocione, ëndrra, sfida dhe forcë për të parë gjithmonë pertej…Mjeshtri i madh, piktori Helidon Haliti në rolin e moderatorit, ka ngacmuar shpirtra e mendje për të ravijëzuar potrete, si një histori në lëvizje duke mos kërkuar ngjashmërinë, por thellësinë e ndjesisë dhe të mendimit e prej ku “botët” zbërthehen filozofikisht nga “të mbijetuarit e sistemit”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 4 - 30 Maj 2025, çdo ditë në orën 12:00.