
Sot, 21 shkurt shënohen plot dy vite pa të madhen Mimika Luca.
Dy vite më parë, familjarët humbën njeriun e nënën e dashur, miqtë shoqen gojë ëmbël e të pakursyer dhe teatri e kinemaja humbën një yll. Sot, kujtimi i saj është i gjallë në çdo skenë ku ka shkelur, në çdo film ku ka lënë gjurmë e sigurisht dhe në gjirin e ngrohtë të familjes së saj, në zemrën e djalit, Gjergj Lucës.
E në këtë përvjetor të ndarjes së saj nga jeta, ai ka risjellë një foto të dy prindërve të cilët përmes artit, kontributit dhe mirësisë së tyre përgjatë gjithë jetës u lanë pas djalit e familjarëve emrin e mirë.
“Dy vite larg, miliona emocione afër. Sot nëna ime, aktorja e mirënjohur Mimika Luca ka përvjetorin e dytë të largimit nga jeta por pas ka lenë kontributin e saj të madh kulturor kombëtar. Faleminderit që na latë pas emrin e mirë ti edhe baba ynë të dashur prindër të paharruar!”, shkruan Luca, krah fotos së të ëmës dhe të atit, Mimika dhe Ndrek Lucës.
Dy vite më parë (21 shkurt 2023) u shua një nga artistet më të mëdha të skenës shqiptare, Mimika Luca. Aktorja prej disa kohësh vuante nga ishemia cerebrale.
E madhja Mimika Luca, cilësohet si një aktore shumëdimensionale si në teatër ashtu edhe në kinematografi.
Ajo u lind në Gjirokastër më 24 dhjetor të vitit 1937 dhe në moshë shumë të re interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë. Për njëmbëdhjetë vite, nga 1951 deri në 1962, ishte balerinë në TKOB. Më pas, jeta e saj mori një drejtim tjetër, atë të aktrimit.
Mimika Luca u pranua në vitin 1962 si aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role, si Suzana, Luçia, Dila “Cuca e maleve”, Sonja, Nica “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja “Kur hidheshin themelet” etj. Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë.
Roli i parë ka qenë krah bashkëshortit Ndrek Luca, në filmin “Detyrë e posaçme”, më pas në filmin “Kryengritje në pallat”, “Kur hidheshin themelet” e shumë të tjerë.