Dirigjenti Sami Kaziu jep alarmin për gjendjen e Arkivës në Teatrin "Skampa" të qytetit të Elbasanit. Sipas tij, pas viteve 1990 situata e arkivave të koncerteve u rëndua, për shkak se shumë prej partiturave u hodhën apo u dogjën.
“Kam gjetur partitura të hedhura cep më cep kur në fakt ato duhen arkivuar. Këtu ka pasur shumë mangësi”, është shprehur Sami Kaziu për RTSH.
Gjendja e arkivave teatrorë, pasurimi me shfaqje të humbura në kohë dhe digjitalizimi i materialeve të vjetra, ishte tema që bëri bashkë në Teatrin Skampa të Elbasanit, aktorë, regjisorë dhe studiues të arteve.
Nën organizimin e Akademisë së Shkencave, studiuesja Dr. Anxhela Çikopano nënvizoi rëndësinë e kontributit të komunitetit teatrorë, ndërsa apeloi që çdo kush të sjellë pjesët e ruajtura, në qendrën e studimit të artëve për t‘i digjitalizuar ato.
Puna për studimet arkivore pritet të shtrihet edhe në teatrot e qyteteve të tjera të vendit, për të mos lënë të vishet me pluhurin e harresës përkushtimin e një kaste të gjere aktorësh, regjisorësh e shkrimtarësh me kontribut të vyer në artin shqiptar.
Studiuesi Feta Biza është një nga njerëzit që ka dhënë kontributin e tij për plotësimin e arkivit të shtypit. AI ka treguar se ka grumbulluar materialet e shtypit të kohës edhe të pjesës së parë kur teatri ka qenë diletant nëpërmjet Shtëpisë së Kulturës dhe kur ka qenë profesionist në teatrin “Skampa”.