Një artiste nga Kosova Alketa Xhafa Mripa ka prezantuar në Hagë një instalacion të krijuar me rrobat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Vepra artistike titullohet “Thinking of You” dhe ka si qëllim që të solidarizohet me të gjitha të mbijetuarat nga abuzimi seksual gjatë kohës së luftës, duke simbolizuar jo vetëm dhimbjen dhe vuajtjet e tyre por edhe kurajon dhe forcën e jashtëzakonshme për të jetuar jetën.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama ka vlerësuar iniciativën e artistes shqiptare për të rijetësuar vuajtjet e grave gjatë këtyre konflikteve dhe për t’ju dhënë zë viktimave që autorët e këtyre krimeve të vihen përpara drejtësisë që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
“Instalacioni artistik i Alketa Xhafa Mripa, "Thinking of You," shpreh kujtimin dhe solidaritetin për të gjitha të mbijetuarat e dhunës seksuale në konflikte. Ky instalacion jo vetëm që simbolizon dhimbjen dhe vuajtjen e tyre, por edhe forcën dhe kurajën e jashtëzakonshme që ato kanë treguar”,- shkruan Rama në Facebook.
Gjithashtu, të pranishme në këtë event kanë qenë edhe dy të mbijetuarat e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi dhe Shyhrete Tahiri. Prezenca e tyre tregon se drejtësia dhe njohja e këtyre krimeve është detyrë e përhershme e njerëzimit.
Rrobat e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe nga 19 shtete të tjera, u ekspozuan në qytetin e Hagës në Holandë, të organizuar në bashkëpunim me Mukëege Foundation, Ambasada e Kosovës në Holandë dhe Komuna e Hagës.
Ky event në Hagë, Qyteti Ndërkombëtar i Paqes dhe Drejtësisë, është një thirrje e fuqishme për drejtësi dhe një përpjekje për të mos lejuar që zërat e të mbijetuarave të heshten.