"Isha në moshën 35 vjeçare kur më kishte lindur ideja e kërkoja një këngë që ta këndonin të gjithë. Ta këndonin të kënduarit, një krye këngë sintezë të historisë së hijshme të shekujve të himnizuar."
Kështu rrëfyer Lefter Çipa para se të ndërronte jetë për këngën që vërtet e kënduan dhe e këndojnë të gjithë; "Këngët e Atdheut tim"! Në nder të tij, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore organizon një koncert special më datë 29 Prill në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Vlerat muzikore, pjesë korale të përpunuara nga krijimtaria e mjeshtrit Çipa dhe ndërthurje e polifonisë vokale me instrumentet popullore (Orkestrën), si dhe etydin koreografik, do të vihen në skenë nga stafi i Ansamblit dhe grupe të ndryshme polifonike.
Drejtori artistik i Ansamblit Popullor, kompozitori Sokol Marsi tregon se koncerti vjen me një program të pasur muzikor për publikun, pasi artistët më të mirë nga gjithë Shqipëria do të këndojnë vargjet e "Mjeshtrit të Madh" Lefter Çipa. Ata përfshijnë Petrit Lulon, Irini Qirjako, Përparime Ziflaj (PARO), Golik Jaupi, Nazif Çela, e shumë të tjerë.
Marsi ka zbuluar se pjesë e mbrëmjes gala, veç këngëve polifonike dhe qytetare, do të jetë edhe një valle premierë. Një detaj ndryshe për Ansamblin dhe shfaqet e zakonshme, do të jetë edhe dueti mes sopranos Eva Golemi dhe rrokerit Aleksandër Gjoka.
“Nuk është nga koncertet tona të zakonshme sepse mënyra e organizimit dhe formati në formë galaje përfshin edhe shumë artistë të ftuar, majat e interpretimit të këngës polifonike dhe qytetare. Jemi të kënaqur që bashkohemi të gjithë në një event për një penë të artë të letrave shqipe. Lefter Çipa i madh, Nderi i Kombit nuk ka shkruar vetëm poezi në letër, por tekste të muzikës qytetare dhe polifonike", është shprehur Sokol Marsi.
Drejtori artistik i Ansamblit Popullor ka theksuar se ata kanë kohë që merren me organizimin e kësaj mbrëmje gala që nuk ka ngjashmëri me koncertet e zakonshme, sepse do të ketë një numër shumë të madh artistësh të njohur.
"Organizimi ishte i vështirë duke pasur parasysh numrin e lartë të artistëve, por kemi kohë që punojmë. Materiali muzikor është shumë i njohur dhe popullor. Në programin artistik do të ketë këngë qytetare, si “Thëllëzat që hedhin valle”, “Dy pëllumba mbi çati” etj etj. Më tej do të kemi një valle të kënduar” Zoga Kaçake në mal”.
Teksa po shfletonim repertorin e Lefterit, sepse familjarët na thanë që ka bërë edhe valle, nisëm të gërmonim për të gjetur valle, nuk e gjenim, dhe në nder të tij e nxorëm në skenë. Kjo është valle premierë me muzikën time", është shprehur Sokol Marsi.
Në këtë koncert për herë të parë do të vijë në duet diva e Teatrit të Operas, Eva Golemi me legjendën e rocku-t shqiptar Aleksandër Gjoka, në një përpunim të këngës së famshme “Tundu bejke e bardhë” nga kompozitori dhe drejtori artistik i Ansamblit Kombëtar Sokol Marsi.
Koncerti do të zhvillohet dhe me pjesëmarrjen e veçantë të artistit Bujar Asqeriu “Nder i Kombit”. Solistë këngëtarë: Malvina Likaj, Aranit Hoxha, Denisa Gjezo, Mirela Aliaj, Raimond Kllogjeri, Avni Miraka. Solistë valltarë: Gëzim Halili, Helga Saraçi, Marjana Shkreta, Rei Berisha, Frenki Ziaj. Pjesëmarrës në koncert janë dhe Irini Qirjako, Petrit Lulo, Artur Vera, Bashkim Alibali, Hatixhe Lushi, Ermioni Mërkuri, Përparime Ziflaj (Paro), Golik Jaupi, Nazif Çela, Katina Beleri, Vendim Kapaj. Grupet Polifonike të Himarës, Bënçës dhe Pilurit.