
“Kapedani” i realizuar në vitin 1972 me regji të Muharrem Fejzos dhe Fehmi Hoshafit, 52 vite pas shfaqjes së tij të parë, vjen i restauruar për të mbetur një deshmi e gjallë e kinematografisë shqiptare të atyre viteve.
Filmi “Kapedani” ka ardhur i titruar në Anglisht, dhe së shpejti pritet të shfaqet edhe në gjuhë të tjera, pasi ky restaurim i hap rrugën udhëtimit të filmit në arenën ndërkombëtare.
Sapo përmendet filmi “Kapedani” gjithkujt i vjen në mendje Xha Sulo dhe Xha Beqo, dy prej personazheve që me batutat e tyre kanë shoqëruar breza të tërë.
Tek “Kapedani” interpretojnë aktorët e njohur si Albert Vërria me rolin e xha Sulos, Nikolin Xhoja me rolin e xha Beqos, Flora Mërtiri (kryetarja), Robert Ndrenika (djali i xha Sulos), Lazer Filipi (shoku Ropi) etj.
“Restaurimi bën të mundur që ne të jemi në festivalet jashtë Shqipërisë, sepse ky është një nga kriteret që kërkohet. “Kapedani” e hapi rrugën e tij në festivalet ndërkombëtare dhe në 2025 do të jetë pjesë e tyre,” - tha drejtuesja e Arkivit të Filmit, Marinela Ndria
Për aktorët, të cilët u bënë protagonistë të këtij filmi dëshira më e madhe ishte mbetja në kujtesën e publikut. Këtë e pohon edhe e bija e Nikolin Xhjojës i njohur ndryshe si Xha Beqo.
“Mbaj mend që tre vitet e pushimeve shkoja me trupën nëpër xhirime, dhe të gjitha ato skena i kam të fotografuara. Fillimisht roli i babit kishte shumë pak batuta, më pas rrugë autor i shtoi të tjera për shkak se nuk ishte ai protagonisti i filmit, por ai e donte shumë këtë rol dhe dha maksimumin për të”, - deklaroi vajza e Nikolin Xhojës, Aksinja Xhoja.
Vitin e kaluar u restaurua filmi “Lulëkuqet mbi mure” me regji te Dhimiter Anagnostit, 47 vite pas krijimit të tij.