Kanë dalë të protestojnë përpara Prefekturës së Kukësit familjet e prekura nga përmbytjet pranë HEC-it të Fierzës.
Banorët kërkojnë që të dëmshpërblehen nga qeveria për dëmet e shkaktuara nga vërshimi i ujit në tokat e përmbytura, në pronësi të tyre. Ata kanë kërcenuar se do të përshkallëzojnë protestat deri në grevë urie, nëse nuk do të merren parasysh kërkesat e tyre për dëmshpërblim dhe nëse nuk do të ketë një reagim të qeverisë për këtë gjë.
Protestuesit i kanë kërkuar një takim prefektit të Kukësit Safet Gjici, ku kanë dashur të bisedojnë rreth problemit të tyre, deri në zgjidhjen e tij. Madje ata i kanë kërkuar Gjicit mundësimin e një takimi edhe me ministrin e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknurin.